Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken gjatë një vizite në Athinë, dërgoi mesazhe drejt Turqisë që të ndalë kërcënimet që rrisin tensionin në rajonin e Mesdheut.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp me ministrin e jashtëm grek, Nikos Dendias, Blinken tha se është e rëndësishme që ndryshimet mes vendeve të menaxhohen në mënyrë diplomatike.
“Greqia dhe Turqia janë partnerët dhe miqtë tanë dhe ne vazhdojmë të diskutojmë dhe bashkëpunojmë me ta përmes NATO-s për sigurinë në rajon për të shmangur kërcënimet që rrisin tensionin dhe kjo është më e vështirë në një periudhë parazgjedhore. Shikoni rajonin në tërësi dhe çfarë po bën Greqia për t’u bërë një qendër fuqie dhe për të lidhur Afrikën me Evropën dhe për të bashkuar vendet për bashkëpunim. Kur zgjidhen mosmarrëveshjet, hapen mundësi më të mëdha. Është shumë e rëndësishme që miqtë dhe partnerët të menaxhojnë dallimet e tyre në mënyrë diplomatike”.
Nikos Dendias përmendi të njëjtën temë greko-turke, duke thënë se Greqia nuk e lidh ndihmën e dhënë ndaj të prekurve nga tërmeti me politikën e jashtme. Ai tha se ndihma ndaj tyre, është një detyrim.
“Ne nuk e kombinojmë ndihmën për viktimat e tërmetit me politikën tonë më të gjerë të jashtme. Është detyrimi ynë ndaj njerëzve që po testohen t’i ndihmojmë ata. Nëse përmes këtij kontakti përmirësohet klima, kjo ka pasoja politike dhe ju e dini mirë. Greqia nuk kërkon dëmshpërblim përmes ndihmës që u jep viktimave të tërmeteve, është detyrimi ynë të ndihmojmë turqit dhe sirianët”.
Nga ana tjetër, Blinken tha se ka mënyra të tjera për të zgjidhur mosmarrëveshje mes dy vendeve duke nxitur bashkëpunime në fusha të ndryshme.