Në vigjilje të Ditës së Pavarësisë së Kosovës, Rexhep Selimi, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), çeli në COD ekspozitën “Në emër të lirisë”, me 153 piktura të bëra gjatë qëndrimit në paraburgimin e Gjykatës Speciale të Hagës.
Në ceremoninë e hapjes së ekspozitës ishte i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama, i cili tha se, “iu bashkova kësaj ideje me shumë kënaqësi dhe me vjen mirë që është sot këtu familja e Rexhep Selimit, njërit prej katër komandantëve të UÇK, që sot gjenden të mbyllur padrejtësisht si rezultat i një historie të gjatë për t’u treguar sot, dhe i një fati të shënjuar nga barra më e madhe se sa vetë ata. Një barrë që e morën përsipër kur ishin shumë të rinj dhe u detyruan ta mbajnë deri ne fund, pavarësisht se kjo barrë vjen si zgjedhje ose si pamundësi për të zgjedhur ndryshe”.
“Është një nder i veçantë që sot kemi këtu bashkëshorten, bashkëluftëtaren dhe bashkëvuajtësen e Rexhep Selimit, se në këtë rast nuk kemi të bëjmë me një luftëtar gruaja e të cilit vjen për të mbushur boshllëkun, por me një çift bashkëluftëtarësh”, tha Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se, “nuk është ekspozita e një artisti, por e një njeriu që në izolimin e imponuar ka gjetur rrugën e krijimit, që në këndvështrimin tim është një rrugë lutje. Gjithmonë kam menduar qysh se kam hyrë në arenë të luftës politikë se, politika është luftë arti, është lutje. Kush ka fatin dhe mundësinë t’i bëjë të dyja, ka gjithmonë një hapësirë të vetën intime, ku mund të strehohet për t’i ikur realitetit, për të reflektuar apo për të lëpirë plagët, siç do thuhej për luanët”.
“Të tilla janë këto vepra që unë do t’i quaja lutje me ngjyra, lutje jo për mëshirë, jo për drejtësi, por lutje për njerëzillëk, edhe për mundësinë e një udhëtimi brenda vetes që e kemi shumë të vështirë, në të përditshmen, ku vetja jonë është e lidhur me shumë të tjera, ku është detyruar të përshtatet e përballet me gjithëfarëlloj pengesash, të cilat të bëjnë të harrosh se përveç asaj veteje që hyn në marrëdhënie me të tjerët, është edhe ajo zona ku je vetëm ti dhe vetja jote”, tha Rama.
Rama theksoi se “eksplorimi i kësaj zone në kushtet e një izolimi dramatik, siç është ai në Hagë dhe pastaj bujaria për ta ndarë këtë eksplorim me të tjerët, janë vërtet prekëse dhe është privilegj për ne këtu që na u dha kjo mundësi dhe unë do të isha shumë mirënjohës nëse Andi dhe Learti nuk do ta linin me kaq, por në ditët kur këto punë të jenë të varuara në këto mure, të përpiqen të krijojnë në këtë hapësirë një seri ngjarjesh, që do të thotë takimesh, komunikimesh, bashkëbisedimesh, reflektimesh për atë që është historia, jo thjeshtë e Rexhep Selimit, por siç është historia e Kosovës e lidhur pazgjidhshmërisht me historinë e UÇK-së dhe më vjen shumë mirë që ne bëhemi si të thuash, mikpritësit e kësaj serie eventesh, për të cilat siç e kuptuat, jeni të ngarkuar pa e kërkuar edhe pa ua marrë miratimin përpara, që kështu edhe miratimin për krijimin e këtij eventi kryesor ta mbani me dinjitet deri në fund”. Kryeministri Rama u shprehu të gjithë solidaritetin familjarëve dhe bashkëluftëtarëve të UÇk-së.
“Ata nuk kanë bërë asnjë mëkat tjetër, pëveçse kanë guxuar në një moment që askush nuk do të guxonte dhe jo vetëm kaq, por kanë guxuar edhe përkundër të gjitha parashikimeve edhe atyre më optimiste, kanë guxuar kundër të gjitha atyre ngrehinave institucionale të brendshme dhe të jashtme, kanë guxuar kundër të gjithë opinioneve të përgjithshme me synimin për të çliruar vendin e tyre dhe natyrisht që sot ata janë thirrur të paguajnë një çmim që nuk e meritojnë. Por që jeta e solli kështu dhe nga ana jonë, ne përveç shprehjes së solidaritetit dhe shtrirjes së dorës së vëllazërisë, kemi detyrën secili në pozicionin e vet, të bëjmë atë që mundemi për ta bërë më të lehtë barrën e tyre, natyrisht në një përpjekje që është totalisht e pabarabartë, por po ndalem këtu, sepse dua që deri në fund të respektojmë krijuesin e këtyre veprave dhe njeriun që përzemërsisht ndau me ne të gjithë këtë seri krijimesh të intimitetit të tij”, nënvizoi Rama.
“Shumë faleminderit të gjithëve dhe rastësisht sot, pak përpara mora vesh dicka që nuk e dija, jo se duhet të heq ndonjë faj nga vetja që Shqipja nuk e ka akoma pasaportën e kësaj Republike dhe jam i bindur që ne mund ta korrigjojmë këtë gabim të madh, të cilin fatmirësisht zyshë Arta nuk na e ka kapur deri tani dhe do të jem shumë i lumtur nëse do të më jepet mundësia që shumë shpejt t’ua dorëzoj pasaportën, jo vetëm juve, por dhe fëmijëve që familjarisht të jeni dhe me dokumente se me zemër dhe me mendje ju jeni qytetarë të Republikës së Shqipërisë, por edhe me dokumente qytetarë të Republikës së Shqipërisë”, tha Rama.