Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka sqaruar në një intervistë për ‘Top Neës’ se rruga “Ibrahim Rugova” nuk është shkurtuar, siç është thënë nga opozita në media ditët e fundit, por përkundrazi është zgjatur me 300 metra dhe shkon deri te Diga e Liqenit.
Veliaj theksoi se segmenti nga ‘Shallvaret’ te ‘Banka e Shqipërisë’, i cili prej disa vitesh quhej rruga “4 Shkurti” është saktësuar në emërtimin “Dëshmorët e 4 Shkurtit”. “Rruga ‘Ibrahim Rugova’ jo vetëm që nuk është shkurtuar, por është zgjatur dhe po ua shpjegoj pse. Ajo fillon tek Ura e Lanës, vazhdon te Presidenca, pastaj te sheshi ‘Shopen’, por nuk përfundon aty, sepse me hapjen e ish-Gardës së Republikës, vijon matanë saj, duke u zgjatur edhe me 300 metra të tjera. Pjesa tjetër e rrugës, segmenti nga ‘Shallvaret’ te ‘Banka e Shqipërisë’ quhej rruga ‘4 Shkurti’. Ka 7-8 vjet që quhet kështu. Organizatat e Veteranëve na kërkuan saktësimin e emërtimit të saj në ‘Dëshmorët e 4 Shkurtit’”, tha ai.
Veliaj shtoi se ka komunikuar me familjen e ish-Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, me të cilët po planifikon vendosjen e një shtatoreje në Tiranë. “Dje kam pasur një bisedë të gjatë dhe jashtëzakonisht miqësore me Ukë Rugovën, djalin e Presidentit të nderuar, Ibrahim Rugova. I kam shpjeguar situaten dhe ai ishte jashtëzakonisht mirëkuptues. Unë jam mik me atë familje. Në zyrën time, familja Rugova mori nënshtetësinë shqiptare. Ishte një nder i madh për mua! Znj. Rugova vinte për herë të parë në Shqipëri, kështu që, unë kam detyrimin t’ia shpjegoja familjes Rugova dhe ata, jo vetëm janë të qarte, por edhe dashamirës, madje së bashku po planifikojmë vendosjen e një shtatoreje të Ibrahim Rugovës në një nga sheshet e rrugës që tani është zgjatur. Pra, kalon edhe ish-Gardën e Republikës dhe del te Diga e Liqenit Artificial sepse është vazhdim i asaj rruge, mes për mes ish-Gardës. Do të jetë një pedonale shumë e bukur dhe ndoshta aty është edhe vendi ideal për një shtatore të Ibrahim Rugovës”, deklaroi ai.
Kryebashkiaku tha se tymnaja e krijuar në Tiranë dhe në Kosovë është organizuar nga politikanë dhe analistë që synojnë përçarjen. “Më vjen keq që Bashkia e Tiranës sulmohet nga ata njerëz që, teksa ishin në bashki, shkollën “Kosova” donin ta bënin pallat, teksa ishin në qeveri furnizonin me naftë Millosheviçin, madje për ta UÇK-ja ishte një organizatë terroriste dhe teksa ishin gjallë këta drejtues, Sali Berisha s’ju fliste me gojë – njësoj si me modelin e Azem Hajdarit. Por, unë besoj se problemi real që kemi në Shqipëri dhe në Kosovë ka të bëjë me disa njerëz që kanë ende simpati për fashizmin. Në qoftë se Ibrahim Rugova do të ishte gjallë, si antifashisti më i madh ndaj fashizmit të Millosheviçit, do ta kishte nder që të ishte në një segment, që ndahet nga një lumë, me emërtimin e një lëvizje antifashiste, siç ishte Lëvizja Antifashiste në Shqipëri. Ndaj, këtu problemi nuk është rruga! Kush do ta dijë të vërtetën, e zbulon të vërtetën. Kush jeton në Tiranë, i di si janë të vërtetat. Problemi që kemi andej dhe këtej kufirit, është se kemi politikanë që mezi presin vetëm të gjejnë gjahun e ditës, tamam si ajo hiena që kap prenë e vet ta shqyejë, dhe të shqyejnë kombin tonë. Detyra jonë si njerëz seriozë është që të mos përçahemi, as nga këta politikanë, as nga analistët, që janë në borderotë e këtyre politikanëve si andej, edhe këtej kufirit”, tha Veliaj.