Devolli është një destinacion që do ia vlente të vizitohej në çdo stinë, por veçanërisht në dimër, natyra ofron pamje përrallore. Shtëpitë e gurta dhe bimësia janë mbuluar nga dëbora duke krijuar pamje mahnitëse, që të ftojnë ta vizitosh.
Nënprefekti i Devollit, Henrik Rusi dhe fotografi Ardian Fezollari, kanë sjellë pamje të mrekullueshme të Devollit nën dëborë.
Rrethi i Devollit shtrihet në skajin juglindor të Shqipërisë. Ka 4 komuna dhe 47 fshatra dhe nga Korça do u duhen rreth 25 minuta për të mbërritur në destinacion. Devolli kufizohet në pjesën veriperëndimore me rrethin e Korçës, përmes lartësive që zbresin në Liqenin e Prespës së vogël. Në anën perëndimore të luginës shtrihet shtylla kurrizore e malit Morava, i cili është kufiri më i gjatë që ndan Devollin me rrethin administrativ të Korçës.
Natyra është treguar shumë bujare me këtë vend, ku përveç panoramës magjepsëse gjen edhe mikpritjen e pakrahasueshme të banorëve, të cilët kanë sfiduar vështirësitë e dimrit dhe nuk e kanë braktisur vendin e tyre.
Klima e ftohtë por e shëndetshme, bukuria e natyrës dhe bujaria e njerëzve, i japin kësaj zone një potencial të jashtëzakonshëm për të pasur në të ardhmen një fluks turizmi dimëror.