Shtetet e Bashkuara do të marrin masa nëse Kina do të vendosë të furnizojë me armë Rusinë në luftën e saj kundër Ukrainës.

Kështu ka deklaruar presidenti amerikan Joe Biden në një intervistë për televizionin amerikan ABC News, duke përsëritur se për momentin nuk ka asnjë provë që Pekini synon ta bëjë këtë.

Nëse Pekini do të furnizonte me armë forcat e Vladimir Putinit, sipas presidentit amerikan diçka e tillë do të kalonte çdo kufi që të tjerët e kanë kaluar dhe si përgjigje ne kemi vendosur sanksione më të ashpra.

Biden gjithashtu lëshoi një paralajmërim edhe për homologun kinez, Xi Jinping, duke konfirmuar se do të vendoste ndaj Kinës sanksione të rënda nëse armatose ushtrinë e Putinit.

“Gjatë telefonatës së fundit i kam thënë se nga Rusia u larguan 600 kompani të huaja pas asaj që ndodhi. Prandaj tregohu i kujdesshëm pasi e ardhmja e Kinës varet nga investimet e perëndimit”, theksoi Biden.

Joe Biden përsëriti synimin e tij për të kandiduar për një mandat të dytë në vitin 2024, por gjithashtu pranoi se është “legjitime” që njerëzit të kenë pikëpyetje për moshën e tij.

“Që nga fillimi synimi im ka qenë të kandidoj për një mandat të dytë. Por ka shumë gjëra që duhet të arrijmë në një afat të shkurtër përpara se të filloj një fushatë,” tha presidenti amerikan.

Në moshën 80-vjeçare, Biden është presidenti më i vjetër në detyrë në historinë e SHBA.