Në ambientet e Parkut Olimpik “Feti Borova” u zhvillua këtë fundjavë “Taekwondo Family”, ku për herë të parë fëmijët stërviten dhe marrin leksione bashkë më prindërit e tyre në një seancë Taekwondo.

Për të përshëndetur sportistët e vegjël në këtë aktivitet ishte i pranishëm edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili e vuri theksin në rëndësinë që po i jepet sportit e jo vetëm këtë vit ku Tirana është qyteti europian i sportit.

“Ajo që po bëjmë me sportin është ndoshta një nga vendimet më të mira që kemi marrë. Unë besoj se sporti përveç aftësive fizike, shëndetit e jetës së mirë, më shumë na trajnon karakterin. Një qytet, ose një shoqëri që mëson që jeta ka dhe humbje, jeta ka dhe fitore, disa herë je lart, disa herë je poshtë, disa herë e ke kundërshtarin në tapet, disa herë je ti në tapet fiton një nga gjërat më të rëndësishme, pavarësisht bindjeve që ne kemi,” u shpreh ai.

Kryebashkiaku tha mes të tjerash se vetëm me sport mund të luftojmë sëmundjen e shekullit, që është obeziteti.
“Dua shumë që këtë vit që Tirana është Qyteti Europian i Sportit, të ndërtojmë disa zakone të reja. Sot të gjithë mjekët po thonë që brenda një gjenerate, problemi numër një i çunave dhe gocave tanë është kthyer obeziteti. Pra, shkuam nga gjenerata që nuk kishte mjaftueshëm për të ngrënë, tek problemi numër 1 mbipesha dhe gjithë sëmundjet që vijnë me të. Ndaj nëse do bëjmë një pakt të paktën si qytet, një bashkëpunim që sportin ta marrim seriozisht, jetën e shëndetshme ta marrim seriozisht dhe unë besoj që do dalim të gjithë fitimtar,” tha më tej Veliaj.

Ai shtoi se veç sportit, Bashkia e Tiranës po punon që në gjenezë për një brez të shëndetshëm, aty ku ushqehen më të vegjlit, në çerdhe dhe kopshte, ku ka ndryshuar tërësisht dieta ushqimore.