Aktivistja Evi Kokalari ka njoftuar themelimin e një partie të re politike në Shqipëri, diçka të cilën ajo e kishte paralajmëruar në qëndrimet e saj të mëhershme pas ‘çarjes’ me Sali Berishën, në krah të të cilit u shfaq pasi ai u shpall non-grata nga SHBA-ja.
Në një postim në Facebook, ajo shkruan se Shqipëria ka nevojë për një mentalitet të ri politik, ndryshe nga çfarë është parë 32 vitet e fundit.
Kokalari shton se këtë ndryshim mund ta sjellë vetëm diaspora në bashkëpunim me elementët konservatorë në Shqipëri dhe me ndihmën e konservatorëve amerikanë e evropianë.
“Së shpejti, në Shqipëri!” – shkruan Kokalari në mesazhin që shoqëron njoftimin.
Kokalari u shfaq në krah të kreut të PD-së Berisha pas shpalljes së tij non grata nga Departamenti Amerikan i Shtetit në korrik 2022.
Ajo e shoqëroi atë në turet e tij në mbarë Shqipërinë duke shprehur mbështetje të fortë ndaj tij.
Megjithatë muajt e fundit ajo ka qenë kritike e fortë e disa lëvizjeve të Berishës, sidomos e Primareve në Tiranë, duke bërë akuza për manipulim të votimit.
Ajo gjithashtu e kritikoi Berishën pas daljes së audios së bisedës së tij me Edi Ramën në vitet ’90, pas së cilës la të kuptohej se mund të themelonte një lëvizje konservatore në Shqipëri duke qenë se PD-ja e tanishme nuk e ofron këtë, sipas saj.