Përdoruesit e platformave të kompanisë Meta së shpejti do të mund të ndjekin hapat e shfrytëzuesve të rrjetit social, Twitter, duke paguar për vendosjen e një shenje të kaltër dalluese në profilet e tyre, si simbol autenticiteti, dhe për shtrirjen më të madhe të postimeve të tyre. Udhëheqësi i Meta-s, Mark Zuckerberg, njoftoi më 19 shkurt shërbimin e abonimit për platformat Facebook dhe Instagram, pasi për pothuajse 20 vjet mbrojti një model ekonomik të bazuar në shërbime pa pagesë dhe në reklama.
Sistem me dy shpejtësi
Ata që abonohen në shërbimin Meta Verified do të mund të verifikojnë llogarinë e tyre në Facebook dhe Instagram, duke paraqitur një letërnjoftim zyrtar dhe duke marrë një shenjë të kaltër, e cila tregon se prapa llogarisë është personi apo subjekti që thotë se është. Llogaritë e abonentëve, po ashtu, do të mbrohen më mirë kundër vjedhjes së identitetit, falë monitorimit proaktiv. Në rast të problemeve, këta abonentë do të mund të kontaktojnë drejtpërdrejt ekipet e shërbimit për konsumatorët.
Dhe, postimet, fotografitë dhe videot e tyre do të kenë peshë më të madhe sesa ato të personave që nuk janë të abonuar, duke u shfaqur në krye të rezultateve të kërkimeve, të komenteve dhe të rekomandimeve. Meta po premton gjithashtu funksionalitete të reja krijuese. Meta Verified do të lëshohet këtë javë në Australi dhe Zelandën e Re, para se të zgjerohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në vende të tjera.
Shërbimi i ri do të kushtojë 11.99 dollarë në muaj për përdoruesit që regjistrohen direkt në platforma, dhe 14.99 dollarë për ata që abonohen përmes aplikacioneve të platformave në telefona mobilë. Çmimi më i lartë synon të mbulojë përqindjen që i paguhet Apple-it në iPhone, ose Google-it në celularët me sistemin Android. Prioritet për “influencuesit” Abonimi do të bëhet në baza vullnetare. Dhe, vetëm personat që janë mbi moshën 18-vjeçare do të lejohen të regjistrohen në shërbimin e ri. Shërbimi ende nuk ofrohet për bizneset, por Meta nuk e përjashton këtë në të ardhmen.
Shërbimi i ri kryesisht është menduar për ata që krijojnë përmbajtje. Meta ka thënë për AFP-në se vendosi të ofrojë shërbimin e abonimit pas kërkesave të krijuesve, numri i të cilëve po rritet. Kompania ka marrë masa pasi rrjetet sociale tradicionale po përjetojnë një rënie të numrit të përdoruesve dhe të të ardhurave.
Më 2022, të ardhurat e Meta-s nga reklamat ranë për herë të parë, prej se kompania me qendër në Kaliforni u bë shoqëri aksionare publike më 2012. Inflacioni po i rëndon buxhetet e reklamuesve në internet dhe vëmendja e përdoruesve është shpërndarë mes shumë aplikacioneve. Këto të fundit nuk mund të mbledhin aq shumë të dhëna personale sa mundnin para ndërhyrjes së autoriteteve rregulluese — kryesisht në Evropë — dhe Apple-t, për të mbrojtur më mirë privatësinë e njerëzve në internet.
Kësisoj, beteja mes platformave “po bëhet paksa një betejë për tërheqjen dhe mbajtjen e krijuesve, sepse, në fund të fundit, janë krijuesit ata që kanë përmbajtjen interesante për publikun”, thotë Carolina Milanesi, një analiste në Creative Strategies. Por, kjo nuk mjafton. Snapchat, Reddit dhe Discord, po ashtu, po propozojnë që përdoruesit të shpenzojnë disa dollarë në muaj për mjete shtesë. Twitter, i blerë nga Elon Musk vitin e kaluar, lëshoi në mënyrë kaotike një veçori për verifikimin e llogarisë, e cila kushton 7 dollarë në muaj nëse për të paguhet direkt në platformë, dhe 11 dollarë në muaj nëse abonimi bëhet përmes aplikacionit në iPhone.
Shërbimi Twitter Blue, që u jep abonentëve shenjën e kaltër dalluese, u mundëson atyre t’i japin postimeve të veta shtrirje më të madhe, si dhe të shohin më pak reklama dhe të kenë liri më të madhe shkrimi, me postime më të gjata. Milanesi mendon se Meta dëshiron të ketë edhe një burim shtesë të të ardhurave. Pasi Twitter-i aktivizoi shërbimin e tij të abonimit, kompanitë e tjera të mediave sociale janë nxitur që ta provojnë edhe vetë një gjë të tillë, thotë ajo. “Shikuar nga perspektiva e një krijuesi, mendoj se kjo është më shumë një nismë marketingu sesa diçka njëmend e vlefshme për krijuesit”, pohon Milanesi.