Në një nga zonat më të shtrenjta të Tiranës, mes “Rrugës së Elbasanit” dhe rrugës mbi Piramidën, sa vijnë e zgjerohen sarajet e vamiljes Berisha, me vlerë qindra mijëra euro. Bëhet fjalë për “Rrugën Mustafa Matohiti”, e njohur tashmë edhe si “Rruga e Salës”, për shkak se aty banon Sali Berisha.

Në këtë rrugë, fillimisht u zhvendos me banim Sali Berisha në vitin 2007. Berisha hyri në politikë me një apartament parafabrikat 69 m2, ndërsa sot ka një pasuri me vlerë dhjetëra miliona euro, në emrin e dy fëmijëve dhe dhëndrit Jamarbër Malltezi. Në këtë rrugë, në vitin 2007, Berisha ka deklaruar një apartament 125 metër katror si dhe një vend parkimi.

Po në vitin 2007, në “Rrugën Mustafa Matohiti”, dhëndri i Berishës, Jamarbër Malltezi, figuron se ka regjistruar në emrin e tij një bodrum 21 m2, me vlerë 10 mijë USD.

Në 13 janar të vitit 2000, Argita dhe Jamarbër Malltezi kanë regjistruar në emrin e tyre një apartament me sipërfaqe 259 m2, pikërisht “Rrugën Mustafa Matohiti”.

Në 19 shtator 2010, Argita dhe Jamarbri regjistrojnë në emrin e tyre një tjetër apartament me sipërfaqe 195 m2, në të njëjtën rrugë, “Mustafa Matohiti”.

Në 18 maj të vitit 2015, Argita dhe Jamarbër Malltezi regjistrojnë në emrin e tyre një bodrum me sipërfaqe 18 m2, me vlerë 17 mijë euro, në të njëjtën rrugë në Tiranë.

Tre javë më pas, në 5 qershor të vitit 2015, Argita dhe Jamarbër Malltezi kanë regjistruar një tjetër apartament me sipërfaqe 128.3 m2, në “Rrugën Mustafa Matohiti”.

Në maj të vitit 2017, Jamarbër Malltezi regjistron në emrin e tij një apartament 102 m2, pikërisht në “Rrugën Mustafa Matohiti”.

Bie në sy që deklarohet vlera e bodrumeve, por jo vlera e apartamenteve. Edhe vlera e apartamentit dhe parkingut në emrin e Sali dhe Liri Berishës është e paqartë.

Në emër të Jamarbër Malltezit figurojnë të paktën 35 pasuri me vlerë miliona euro, ku përfshihen 9 apartamente me sipërfaqe rreth 2 500 m2 në Tiranë, 6 njësi ndërtimore me sipërfaqe rreth 1.2 mijë m2, garazhe dhe troje.

Ndërkaq, SPAK vijon hetimet për aferën e tjetërsimit të ish- Klubit Partizani nga qeveria e Sali Berishës, për llogari të dhëndrit të tij, Jamarbër Maltezin. Hetimet vijojnë për pastrim parash. Nga ana tjetër, Sali Berisha, vijon ‘revolucionin’ në emër të varfërisë.(Shqiptarja.com)