Familjarët e viktimave të “21 Janarit” depozituan sot në orën 10:00 kallëzim të ri në SPAK.

Xhaxhai i Aleks Nikës i cili depozitoi sot në SPAK kallëzimin e ri tha se çështja duhet të merret nga SPAK dhe jo nga Prokuroria e Tiranës, pasi po zvarritet çështja.

“Ne na ka rënë në dorë një kasetë, audio ku flitet për mekanizmin që ka përdorur garda. Aty identifikohet zëri i komandantit të gardës ku thuhet të qëllohet në mish. E dorëzojmë këtë vetëm te SPAK se te prokuroria nuk kemi besim. Ka një ndikim politik nëse nuk merret, se përgjigjen ata duhet të na i jepnin me shkrim, ata ja kanë kaluar prokurorisë, por prokuroria nuk ka këllqe ta hetojë këtë gjë. Ata thonë nuk kemi prova, s’mund të na i refuzojë”– u shpreh Mark Nika.

Në 21 janar 2011 u vranë nga 4 qytetarë gjatë protestës së Partisë Socialiste para Kryeministrisë, në kohën kur në krye të qeverisë ishte Sali Berisha.

Edhe pas 12 vitesh ende nuk ka drejtësi për Aleks Nikën, Ziver Veizin, Faik Myrtajn dhe Hekuran Dedën.

Kujtojmë se SPAK shpalli moskompetencën më 9 shkurt dhe ia kaloi çështjen prokurorisë së kryeqytetit në 9 shkurt, pas kallëzimeve të PS-së dhe Ministrisë së Drejtësisë.

Socialistët kërkuan nisjen e hetimeve për ish-kryeministrin Berisha, ish-ministrin e Brendshëm të asaj kohe Lulzim Basha dhe ish-shefin e gardës Ndrea Prendi.

Në kallëzimin për 21 janarin të majtët këmbëngulën se audio-regjistrimi i bërë publik gjatë 12 vjetorit të tragjedisë qartësonte se urdhrat për të qëlluar me armë ishin dhënë nga funksionarë të lartë.

Në media u publikua një audio-përgjim në të cilin tregohej komunikimi mes gardistëve ditën e 21 janarit, ku 4 qytetarë të pafajshëm mbetën të vrarë.