Charles McGonigal është kthyer në një “varkë shpëtimi” për Sali Berishën këto javë.
Tashmë çdo gjë të keqe që i ka ndodhur atij dhe familjes së vet, Berisha ia vesh ish-zyrtarit të FBI.
Por fantasia ka kapur kulmin këtë të martë.
Portali i familjes Berisha, thotë se ai ka bërë dhe reformën në drejtësi.
Prova? Fatmir Xhafaj, sipas tyre, i ka dërguar një email atij ku e uron për festat e fudvitit, dhe kjo tregon se ai ka kapur edhe reformën në drejtësi.
“Edhe njeriu i reformës në drejtësi, siç e cilësonte Edi Rama, Fatmir Xhafajn, është i përfshirë në çështjen e Charles McGonigal, ish-zyrtari i lartë i FBI-së i arrestuar tashmë nga drejtësia amerikane, dhe i hetuar për korrupsion dhe financime ruse.
Kjo është zbuluar nga një email që është publikuar mbrëmjen e së hënës nga hakerat iranianë të “Homeland Justice”.
Në bllokun e emaileve të parlamentit është hakeruar edhe ai i Fatmir Xhafajt.
Mes emaileve të dërguara nga Xhafaj është edhe një që i drejtohet Charles McGonigal, në adresën private të ish-shefit të kundëzbulimit të FBI-së, ku me fjalë të ngrohtë ish-kreu i komisionit të Reformës në Drejtësi i uron atij festa të bukura të fundvitit.
Sigurisht që emaili nuk ka ndonjë gjë të veçantë aty, por fakti që Fatmir Xhafaj i ka dërguar McGonigalit një email urimi, tregon se ai ka pasur njohje të thella me ish-zyrtarin e FBI-së. Dalja e emrit të Xhafajt, fakti se ai ka drejtuar reformën në drejtësi të Edi Ramës, ngre dyshime për përfshirjen e Charles McGonigal në këtë zhvillim”, shkruan portali i familjes Berisha.
Janë për të qeshur në fakt, se krijojnë një histori të tërë, duke u nisur thjesht nga një email urimi.
Por më qesharakë janë kur thonë se Mcgonigal ka bërë reformën në drejtësi, kur dihet publikisht që reforma në drejtësi është bërë pikërisht nga SHBA dhe Bashkimi Europian.