Një fenomen i çuditshëm ka ndodhur në Australi, ku një shi me peshq të gjallë ra në një qytet të izoluar të vendit.
Sipas Protothema.gr, ky fenomen ka ndodhur katër herë në 30 vitet e fundit, ku hera e fundit ka ndodhur në vitin 2010 dhe shkencëtarët nuk mund të japin një shpjegim bindës për fenomenin.
Shiu i peshkut ra në qytetin e vogël të Lajamanu, një zonë që ndodhet në Territorin Verior të thatë të Australisë dhe që nuk rrethohet nga uji.
“Pashë një stuhi të madhe që po i afrohej komunitetit tim dhe mendova se ishte vetëm shi,” tha për ABC Neës Andreë Johnson Japanangka, një banor i qytetit dhe një anëtar i Këshillit Rajonal të Shkretëtirës Qendrore. “Por kur filloi të bjerë shi, pashë të bien edhe peshq”, shtoi ai.
Shiu ra natën dhe njerëzit i panë peshqit në mëngjes, të shpërndarë në të gjithë qytetin. Shumë nga peshqit ishin ende gjallë.
Deri më tani, fenomeni nuk është shpjeguar. Qyteti u mbush me peshq në vitet 1980, 2004 dhe 2010. Herën e fundit që fenomeni ndodhi, peshqit që ranë në formën e shiut mbi qytet, ishin të të njëjtit lloj.
Fenomeni i rënies së peshkut nga qielli është i pazakontë, por jo i paprecedentë. Dihet se deri më tani janë regjistruar raste të shiut me bretkosa, lakuriq nate, krimba apo merimanga. Arsyeja e saktë për këtë fenomen nuk dihet, por një teori shpjegon se kafshët mund të jenë rrëmbyer nga një vorbull uji në formën e Tornados dhe të kenë rënë në qytet.