Dosja amerikane ndaj ish-zyrtarit të FBI-së Charles McGonigal është shndërruar në çështjen më të nxehtë të politikës në Shqipëri, pas zbulimit të kontakteve të tij të rëndësishme në Tiranë. Emisioni investigativ Inside Story ka sjellë sonte një analizë të detajuar të kësaj çështjeje.

Ndaj ish-shefit të zyrës së kundërzbulimit të FBI-së, i cili kishte dalë në pension në 2018, janë ngritur dy aktakuza të veçanta: një në New York dhe një në Uashington D.C.

Në New York, McGonigal, akuzohet se ka marrë para nga një bashkëpunëtor i oligarkut rus, Oleg Deripaska, i cili është sanksionuar nga SHBA që në vitin 2018. Dyshohet se ish-agjenti ka marrë para’ me qëllim heqjen e emrit të oligarkut rus nga lista e bizneseve të sanksionuara.

Kjo akuzë, nuk ka asnjë lidhje me Shqipërinë, përpos akuzave politike sot.

“Mbase pjesa Deripaskës lidhet vetëm me fajin ose përfshirjen ose me mënyrën se si kanë vepruar zoti McGonigal mendoj, nuk lidhet me pjesën shqiptare apo z. Neza apo Duçka”, u shpreh avokati, Redi Ramaj

“Të jesh i pastër edhe ta bësh pis veten tende, kombi tënd pa absolutisht një shkak. Pse e them sepse FBI e ka hetuar, do të thotë e ka dërguar akuzën në gjyq, aty vetëm një i pandehur është dhe ai është kryezbuluesi i FBI”, u shpreh avokati Idajet Beqiri.

Shpesh, aktakuza e parë e ngritur në Neë York, qëllimisht ngatërrohet me të dytën të ngritur në Uashington ku përmenden emra të disa shqiptarëve.

Sipas kësaj aktakuze, McGonigal dyshohet se ka përfituar shuma parash nga një shqiptar.

Po ashtu, atij i janë paguar shpenzimet për udhëtime në Shqipëri, Kosovë dhe Bosnjë.

Dikur njeri i afërt i Azem Hajdarit, e shkuara e Agron Nezës në Shërbimet Sekrete

Sipas aktakuzës, Mcgonigal, ka marrë 225 mijë dollarë pagesa sekrete nga një ish-agjent i inteligjencës shqiptare. Fjala është për shtetasin Agron Neza, nga Tropoja. Dikur, ai ka qenë agjent i Shërbimit Sekret Shqiptar. Një personazh që publikisht ka pranuar afrimitetin me të ndjerin Azem Hajdari dhe ish-kryeministrin Sali Berisha.

Në fakt, vetë Neza e nxorri zbuluar Berishën teksa publikoi foto të vjetra krah tij.

“Neza është nga një familje e shkëlqyer, e mirë e Tropojës, por ka qenë mik i ngushtë i Azem Hajdarit. Agroni, për rrjedhojë dhe i Berishës ai e ka njohur jashtëzakonisht mirë”, u shpreh avokati, Idajet Beqiri

Me rënien e sistemit komunist, Neza u shkëput nga shërbimet inteligjente dhe u afrua pranë Azem Hajdarit. Ka të dhëna se në vitin 1992 ai u ndalua për 6 muaj nga autoritetet malazeze e më pas shkoi në Shtetet e Bashkuara. Aty thuhet se ka krijuar lidhje të ndryshme. Ka dëshmi që thonë se shpesh herë, Nezaj prezantohej si agjent i FBI. Nuk dihet nëse ai ka qenë ndonjëherë bashkëpunëtor zyrtar i kësaj agjencie, apo i referohej lidhjeve siç ishte ajo me agjentin Charles McGonigal.

“Janë problem që Shërbimi Informativ duhet ti shohë, hetojë që kush e arratisi Agron Nezën e hodhi në Serbi.Ai ishte me të vërtetë në Sigurimin e Shtetit, punonte se ishte i besuar i partisë shumë i besuar”, u shpreh Idajet Beqiri.

Njohjet e Nezës mes krerëve të politikës janë të shumëfishta. Nëse Sali Berisha e mohon, aleati i tij Ilir Meta e ka pranuar njohjen me Agron Nezën.

Agron Neza pranë Ilir Metës në Presidencë

Kreu i Partisë së Lirisë, ka deklaruar se e ka njohur përmes të vëllait, të ndjerit Agim Nezaj. Agimi mbahet mend si një intelektual, gazetar, pedagog i njohur dhe zëdhënës në disa dikastere gjatë qeverisjes së Berishës.

Në këtë foto që shihni, Agron Nezaj shfaqet pranë Ilir Metës në kohën kur ai ishte president. Fotoja ku ata shfaqen së bashku i përket muajit Maj të vitit 2022 pas ceremonisë së dekorimit të vëllait të tij, gazetarit të njohur Agimit. I ndjeri Agim Nezaj, mbahet mend edhe si këshilltar për mediat i Jozefina Topallit, gjatë kohës kur ajo drejtonte Kuvendin.

Në fakt, njohja e Metës me ish-agjentin Agron Neza konfirmohet edhe përmes kësaj fotoje që i përket vitit 2013. Veç Nezës, aty duket në krye të tryezës ish agjenti tjetër i FBI Mark Rossini, mik me Charles McGonigal dhe njëkohësisht ortak me ta në biznesin që kanë në Shqipëri. Pra, njohjet e McGonigal dhe rrethit të tij me Metën duket se janë të hershme, pavarësisht mohimeve nga kreu i Partisë së Lirisë.

Por, le ti kthehemi temës sonë dhe të sqarojmë udhëtimet në Shqipëri të Charles McGonigal dhe Agron Nezajt.

Agjenti i arrestuar, ka takuar në Tiranë kryeministrin Edi Rama. Ky ka qenë një fakt i njohur publik dhe vetë shefi i qeverisë e ka pranuar para se Mcgonigal të arrestohej.

Takimi thuhet se është ndërmjetësuar nga një personazh i njohur në qarqet lobuese. Fjala ishte për ish zv.ministrin e Energjisë Dorian Duçka. Ky i fundit, është kushëri i afërt i kreut të partisë së Lirisë Ilir Meta, dhe ishte pikërisht ky i fundit që e bëri pjesë të kabinetit qeveritar gjatë periudhës së koalicionit në vitet 2013-2017. Ashtu siç edhe sqarohet në aktakuzë, Duçka kishte punuar si këshilltar i jashtëm i Ramës.(Inside Story)