Allison Guerriero, ish-e dashura e Charles McGonigal, që u shfaq para disa ditësh edhe në median shqiptare, duket një person e ndjekur nga shumë pikëpyetje.

Gazetari investigativ amerikan Guy Lawson, në intervistën e zhvilluar së fundmi me gazetaren Rudina Xhunga në emisionin Shqip, foli edhe për këtë çështje.

Lawson tha se ish e dashura e McGonigal, po jeton tashmë në shtëpinë e ish-kryebashikut të Nju Jorkut, Rudy Giuliani.

Ky i fundit njihet si një nga njerëzit më të afërt të Trump dhe ka një reputacion të ndërlikuar me gratë. Ish-hero i situatës së pas-sulmeve të 11 shtatorit, Xhuliani u diskreditua më pas, dhe vitet e fundit ka patur shumë telashe ligjore dhe jo vetëm të tilla.

Vetë Trump në një deklaratë për rastin McGonigal e “mallkoi” ish-agjentin në stilin e tij. McGonigal ishte, sipas Trump, zyrtari që e përndoqi pa të drejtë për lidhjet e fushatës së tij presidenciale me rusët.

Në fakt, shumë analistë në SHBA kanë vënë në dukje se zyra e FBI në Nju Jork, ku McGonigal ishte titullar, ishte ajo që e ndihmoi më së shumti Trumpin të zgjidhej president, duke goditur me deklarime hetimesh në fushatë rivalen e tij, Clinton. Kjo degë e FBI, stafi i Trump dhe rusët dukeshin në unison në fushatën e 2016 që i parapriu zgjedhjes së Trump, president.

Ndaj duket e pazakontë lidhja mes ish-njeriut të afërt të McGonigal dhe mikut të Trump.

Gazetari Lawson thotë gjithashtu që Allison Gueriero ka sjellje të çuditshme:

“Ajo duket një figurë mjaft e pazakontë në vetvete. Më duket se ajo po jeton në shtëpinë e Rudy Giuliani, që ndoshta nuk është vendi më i mirë në botë ku mund të varësh shpresat, sepse zoti Giuliani tani po jeton në botën e tij të fantazisë, i është mbyllur zyra e avokatisë, reputacioni i tij është rrënuar.

Nuk e di pse kjo grua dëshiron ta shkatërrojë Mcgonigal, por mesa është bërë e ditur, ajo i ka telefonuar gruas së tij gjithë kohës dhe ishte shumë e zemëruar që ai e kishte ndarë. Por kështu dalin këto gjëra, apo jo. Ka gjithmonë një pjesë njerëzore të çdo historie” – tha ai në intervistën e fundit.