Sekretari i Përgjithshëm Damian Gjiknuri bashkë me Ministren e Kulturës, Elva Margariti, kryebashkiakun Gledian Llatja dhe deputetë të Partisë Socialiste zhvilloi një bashkëbisedim me banorët e lagjes Kala ku u prezantua nisma e qeverisë: Bonusi i Rijetësimit. Ky program i vjen në mbështetje kujtdo që do të restaurojë dhe rijetësojë një objekt-monument kulture apo që ndodhet në qendra historike dhe lagje brenda kalave.
Gjiknuri që është njëherësh dhe drejtues politik i qarkut, tha se kjo nismë jo vetëm do të ruajë identitetin e qytetit, por do të sjellë dhe shumë turistë. “Këto janë lekë direkte për të gjithë ju siç jeni kush ka shtëpi të vjetër në kala. Duke mbajtur shtëpitë në gjendje të mirë, aq më tepër tashmë që financon shteti, ne ruajmë identitetin e Elbasanit. Ky është një nga qytetet e vetme, ose të pakta në Shqipëri, që ka shumë zonë të banuar brenda kalasë. Qytet më në fushë, i shtrirë me këtë kala të madhe të banuar, pra lagje më të koncentruar sesa ka në Elbasan nuk ka në vend tjetër. Pra, potenciali është shumë i madh. Tirana është shumë afër Elbasanit! Vizitorë do këtë plot sepse është me interes. Edhe të huajt, patjetër dhe me zhvillimet e reja që po zhvillohen qoftë ‘Bypass-i’ qoftë ‘Automotoparku’, do vijnë më shumë”, tha Gjiknuri.
Ai nënvizoi se përmes këtij programi qytetarët e Elbasanit për herë të parë do të kenë mundësi që të përmirësojnë banesat e tyre ose t’i kthejnë në bujtina duke ndihmuar dhe ekonominë lokale. “Realisht është një masë që nuk i shkonte mendja njeriu vite më parë që të ofronte para’ për qytetarët për të riparuar banesat e tyre. Gjithmonë ka qenë një pikëpyetje mes nesh si do e ruajmë traditën historike?! Të ruash trashëgiminë urbane të një qyteti është e kushtueshme sepse me erozionin me kalimin e kohës edhe godinat e vjetra rrënohen. Banorët nuk e kanë mundësinë që të financojnë vetë sepse janë vepra të kushtueshme. Atëherë këtu vjen në ndihmë shteti dhe kjo po bëhet për herë të parë. Se është punë për të gjithë këtu. Do punojnë dhe kompanitë në Elbasan, banorët do përfitojnë, dikush do të bëjë një dyqan, dikush do të bëjë një bujtinë, dikush tjetër mund ta përmirësojë shtëpinë për veten e tij”, shtoi Gjiknuri.
Kjo nismë konsiston në mbështetje të kujtdo që do të restaurojë dhe rijetësojë një objekt-monument kulture apo që ndodhet në qendra historike dhe lagje brenda kalave. Buxheti i këtij viti për Bonusin e Rijetësimit është 50% më i madh se një vit më parë.
Ministrja e Kulturës Elva Margariti falenderoi familjet e vjetra elbasanase për kontributin në ruajtjen e kësaj trashëgimie. “Ju keni jetuar në Kala, nuk e keni abandonuar atë asnjëherë, e keni mbajtur atë gjithë jetën gjallë, kjo është meritë e juaja. Dhe në njëfarë mënyre shteti po ju afrohet dhe me njëfarë dekorate”, tha Margariti.
Kryebashkiaku Llatja u shpreh se këto grante të drejtpërdrejta të qeverisë do të ndihmojnë familjet për rijetëzimin e këtyre godinave.
“Ne kemi një qëllim që të krijojmë dhe të hapim ambiente shërbimi në kalanë e Elbasanit dhe këto vijnë me një bashkëfinancim. Qeveria shqiptare bashkëfinancon projektet tuaja me grante, jo me një formë kredie apo të tjera, por drejtpërdrejt me grante”, tha kryebashkiaku Llatja. Ky program përveçse mbron trashëgiminë nga ana tjetër mbështet individin, ekonominë familjare dhe gjithë komunitetin, duke i dhënë prioritet të rinjve, grave sipërmarrëse, emigrantëve dhe personave me aftësi ndryshe. Aplikimet kanë filluar dhe janë të hapura deri në 10 mars.