“Optimizëm nëpër rrugët e shkatërruara të Kievit! Kjo ndihet në çdo cep të qytetit dhe përjetimet e asaj situate.” Kur shënohen plot 1 vit nga nisja e luftës, përjetimet në gjendjen aktuale të Kievit i sjell deputeti i PS-së, Xhemal Qefalia, pjesë e delegacionit që ka shkuar në Ukrainë.

Në një intervistë për Report Tv, Qefalia tha se ajo që i ka bërë më shumë përshtypje është pikërisht optimizmi, si në radhët e deputetëve, ashtu edhe të njerëzve të thjeshtë dhe besimin që kishin për t’i shkuar luftës deri në fund.

“Sapo kemi marrë pak pushim, jemi në hotel, është një situatë gatishmërie, ne si delegacion, kemi marrë pjesë në takimin që zhvilloi sot në seancën jubilee në parlamentin e Ukrainës, ishin prezentë dhe shumë delegacione të tjera.

Ishte një ndjesi kur kryetari i Kuvendit dhe deputetët, bën bilancin e luftës përgjatë një viti, një bilanc që është i mbushur me viktima, me humbje të ekonomisë, një gjë tragjike. Na bëri përshtypje optimizmi i këtyre njerëzve, deputet dhe njerëz, për ta çuar deri në fund luftën e tyre”, tregoi Qefalia.

Në rrugëtimin e tij drejt Kievit, tregon se gjurmët e luftës ishin kudo. Një moment që deputeti e veçon, ishin radhët e gjata të grave me fëmijë në duar, që qëndronin në kufi me Poloninë, për një pjatë me supë.

Ai tha se ishin momente dramatike, e që të bënte të ndiheshe në një farë mënyrë borxhli ndaj tyre, që të kontriubuosh me çdo mënyrë që e gjithë ky ferr të marrë fund.

“Momenti kur ne u futëm në kufirin e Ukrainës, jemi ndeshur me shumë familjarë, gra me fëmijë në duar, mbanin radhë për t’u ushqyer, prekëse, kur shihje fëmijë që mbanin radhë për një pjatë supë. Dramë. Jemi ndjerë shumë keq”, rrëfeu deputeti.

Shqipëria është një ndër shtetet që i ka qëndruar pranë Ukrainës në këto momente të vështira dhe Qefalia tregon se ato janë mirënjohës. Ai ka zbuluar se në momentin që u shpalos flamuri kuqezi në parlamentin ukrainas.

“Ka një sensibilitet për kontributin që po jep Shqipëria për Ukrainën dhe u duartrokitëm e u vlerësuam, ka pasur shumë duartrokitje kur shpalosëm flamurin kombëtar”, përfundoi deputeti.

Në një analizë të përgjithshme, Qefalia tha se tani më gjërat janë në kahun e Ukrainës, por është ende herët se kur do të përfundojë lufta. Delegacioni shqiptar përbëhet Pandeli Majko, dhe 2 deputetët Xhemal Qelafia dhe Denis Deliu.