Me një trashëgimi që i kalon 2,2 miliardë euro, në moshën 24-vjeçare norvegjezi Gustav Magnar, një nga njerëzit më të pasur në Norvegji, është përfshirë edhe në listën e miliarderëve të planetit.

Magnar është djali i biznesmenit norvegjez Gustav Witzoe, pronari aktual, themeluesi dhe aksioneri më i madh i kompanisë Salmar, i specializuar në kultivimin e salmonit dhe një nga më të mëdhenjtë në këtë industri në vendin nordik.

Ishte viti 2013, kur ai ishte vetëm adoleshent, kur babai i tij vendosi t’i jepte deri në 53% të aksioneve të kompanisë.

Megjithatë, pavarësisht se zotëron pjesën më të madhe të aksioneve dhe ka një pasuri të madhe, Magnar është i përkushtuar ndaj pasionit të tij të madh: modës.

I njohur si “Mbreti i salmonit”, ai ka më shumë se 130 mijë ndjekës në profilin e tij në Instagram, ku mund të shihni foto në të cilat ai shfaqet i veshur me rroba të stilistëve të shquar, nëpër udhëtime dhe automjete luksoze.

Ndër mjetet sportive që zotëron Magnari, spikat Lamborghini Urus dhe gjithashtu ka edhe një avion privat.

Siç raporton “Forbes”, Magnar ka bërë investime së fundi edhe në sektorin e pasurive të paluajtshme dhe në “startup”-et e teknologjisë.