Këshilli i Ministrave vendosi sot shpronësimin për interes publik të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga projekti “Krijim hapësire rekreative në zonën e liqenit artificial të qytetit Ballsh, bashkia Mallakastër”.
Sipas këtij vendimi, pronarët e pasurive të paluajtshme do të kompensohen me një vlerë të përgjithshme prej 405 900 lekësh, fond që do të përballohet nga buxheti i bashkisë Mallakastër. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij. Pronarët e pasurive të paluajtshme do të kompensohen për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Bashkisë Mallakastër.
Po ashtu, Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistrimin e kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Mallakastër për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi. Brenda 30 ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nisin procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistrimit të kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Mallakastër për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.