Zyra e kryeministrit hungarez Viktor Orban sinjalizoi të shtunën një shtyrje të mundshme të mëtejshme në ratifikimin për anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO, duke thënë se votimi mund të mbahet vetëm në gjysmën e dytë të marsit.
Suedia dhe Finlanda paraqitën vitin e kaluar kërkesën për t’u bashkuar me aleancën transatlantike pasi Rusia filloi agresionin ndaj Ukrainës. Por që të bëhet anëtarësimi, duhet të ratifikohet nga 30 anëtarët e NATO-s dhe Suedia është përballur me kundërshtime nga Turqia për shkak të strehimit të atyre që Ankaraja thotë se janë anëtarë të grupeve terroriste.
Procesi i ratifikimit nga Hungaria është bllokuar në parlament që nga korriku dhe zoti Orban shprehu për herë të parë të premtem shqetësime rreth anëtarësimit të Suedisë dhe Finlandës në NATO. Ndër të tjera, ai ka akuzuar të dy vendet për përhapjen e “gënjeshtrave” për gjendjen e demokracisë dhe sundimit të ligjit në Hungari.
Nacionalisti Orban tha se nevojiteshin më shumë bisedime midis grupeve parlamentare përpara se ligjvënësit të votojnë për kërkesat e anëtarësimit. Debati do të fillojë të mërkurën. Sipas një kalendari të punimeve të parlamentit publikuar në faqen e internetit të tij këtë javë, votimi përfundimtar mbi kërkesat e anëtarësimit të Finlandës dhe Suedisë mund të bëhet në javën e 6 marsit. Megjithatë, të shtunën këshilltari i zotit Orban, Gergely Gulyas tha se mund të nevojitet edhe më shumë kohë.
“Parlamenti do ta vendosë këtë në rendin e ditës të hënën dhe do të fillojë debatin mbi javën e ardhshme,” tha zoti Gulyas në një konferencë shtypi.
“Bazuar në procedurën hungareze, miratimi i legjislacionit zgjat rreth katër javë, kështu që rrjedhimisht parlamenti mund të ketë një votim për këtë çështje diku në gjysmën e dytë të marsit, në javën e 21 marsit.”