Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama në një intervistë për mediat italaine, thotë se lufta në Ukrainë prodhon një situatë mjaft të paqëndrueshme nga pikëpamja e barrës dhe dhimbjes për sa u përket mizorive ndaj civilëve.
“Në mënyrë më radikale, që nga fillimi i konfliktit, rusët kanë mohuar mundësinë që një vend dhe një popull të ekzistojë si të tillë”, tha Rama në një intervistë për gazetën italianen “TPI”.
Kreu i qeverisë shqiptare shtoi se një kompromis midis Kievit dhe Moskës nuk është i pamundur. “Nuk duhet të pritet që një nga dy pretendentët të rrëzohet për të nisur negociatat”, theksoi ai.
Ky i fundit, ravijëzoi se pikëpamja e shqiptarëve për luftën është e ndryshme nga ajo e italianëve. Së pari, sipas tij, është për arsye historike.
“Pikëpamja jonë, e cila nuk duhet harruar kurrë, është ajo e një vendi që është rritur jashtë botës perëndimore. Dhe në Shqipëri, siç dihet, regjimi ynë, i drejtuar nga Enver Hoxha vendosi një ditë të prishë të gjitha marrëdhëniet me zonën perëndimore dhe të zgjedhë ‘kampin e Stalinit’”.
Kështu, sipas Ramës, Shqipëria ka marrëdhënie të ftohtë me Rusinë. “Vladimir Putin nuk është shumë i dashur për shqiptarët, gjithashtu dhe mbi të gjitha për këto arsye që sapo përmendëm”.
Ndër të tjera, në diskursin e tij, kryeministri shqiptar tha se “bukuria e qeverisjes së një vendi të vogël si Shqipëria është se nuk ke nevojë të marrësh vendime që ndryshojnë fatet e botës”.
“Duke qenë se nuk më takon mua të jap këshilla apo të imagjinoj zgjidhje të mrekullueshme për zgjidhjen e konfliktit, do të doja të them diçka më të thjeshtë dhe më të qartë: ne duhet të punojmë për një zgjidhje që mund të arrihet pa pritur që Ukraina të shkatërrohet dhe pa pritur të bjerë në gjunjë Rusia”.