Izraeli do të ndihmojë Shqipërinë në betejën me sulmet kibernetike. Sot në Tel Aviv u firmos memorandumi që konkretizon premtimin e qeverisë izraelite. E dërguara e Top Channel në Izrael, Erina Matraxhiu, që po ndjek “Kupolën e mbrojtjes kibernetike” pyeti Drejtorin e Përgjithshëm në Drejtorinë kibernetike të Izraelit, Gaby Portnoy se si do të ndihmohet Shqipëria përballë sulmeve kibernetike.
Portnoy tha se në Shqipëri do ndërtohet një kupolë mbrojtëse kibernetike që do të lidhet me kupolën në Izrael.
“Ne jemi të hapur për bashkëpunim. Në fakt është një obligim. Kemi të njëjtët armiq dhe të njëjtat sfida. Ne duhet të ruajmë botën demokratike. Nëse ne arrimë të kemi një mbrojtje të gjerë atëherë kjo do të rrisë forcimin në fushën kibernetike. Nuk është e njëjtë me mbrojtjen fizike. Kemi të bëjmë me hapësirën kibernetike e kështu duhet të mendojmë krejt ndryshe. Kjo nuk ka kufij si në rastin e Shqipërisë. Është e njëjta afërsi si me fqinjin tonë Jordaninë. Duhet të mendojmë kështu. Ne jemi të gatshëm të ndajmë me ju çfarë kemi e dimë për sa i përket sigurisë kibernetike. Ne këtë mëngjes firmosëm një memorandum dhe jemi të gatshëm të ndajmë gjithçka. Nga teknologjia, metodologjia, proceset, aspektet rregullatorë. Ne do ndërtojmë në Shqipëri një kupolë mbrojtëse kibernetike dhe do ta lidhim atë me kupolën tonë. Ky është plani”.