Të prekurit në zonat e tërmetit në Turqi do të mund të vijnë shpejt dhe pa shumë burokracira tek të afërmit në Gjermani. Për këtë ata kanë nevojë për një vizë të vlefshme. Nga Ministria e Jashtme gjermane njoftohet, se pritet që koha e përpunimit të vizës të jetë 5 ditë, nëse paraqitet pasaporta turke dhe të gjitha dokumentet e kërkuara janë të plota. Sipas njoftimeve në media nga dita e hënë (13.02.) jepen viza në të gjitha përfaqësitë gjermane në Turqi. Për këtë është shtuar personeli i përfaqësive konsullore.
Njerëzit nga zonat e katastrofës mund të qëndrojnë tre muaj tek të afërm të shkallës së parë ose të dytë në Gjermani. Dhënia në formë të përshpejtuar e vizave do të jetë për ata që janë të prekur rëndë nga tërmeti: kur janë të pastrehë apo kanë lëndime që duhen trajtuar. Ajo që dihet është se familjet pritëse duhet të nënshkruajnë një deklaratë, ku të tregohen të gatshëm, se do të marrin përsipër të gjitha shpenzimet: ato të jetesës, trajtime eventuale në spitale dhe kthimin e mëvonshëm. Edhe personat që kanë humbur pasaportën gjatë tërmetit, duhet të ndihmohen. Për këtë janë duke u zhvilluar bisedime me autoritetet turke, thuhet nga Ministria e Jashtme në Berlin.
Për të prekurit nga tërmeti në Siri sigurimi i vizës është më i komplikuar. Ata duhet të shkojnë në përfaqësitë jashtë në Aman, Bejrut apo Stamboll. Ambasada gjermane në Damask mbetet e mbyllur.