Katër rregulla të vendosura si trajner, ata që i thyejnë tashmë e dinë se çfarë i pret. Andrea Pirlo, i cili ishte futbollist dhe e di se çfarë do të thotë kur trajneri të sugjeron të përcaktosh gjërat brenda dhomës së zhveshjes, kishte “mësues” të mirë.

Ai e di mirë vlerën e disa recetave, qofshin ato gojarisht, qofshin të ngjitura në murin e dhomës së zhveshjes, nuk ka rëndësi. Nëse kaloni përtej tyre, ka dhimbje.

Ish-lojtari i kombëtares italiane tani është në anën tjetër të barrikadës dhe e sheh vetë sa e vështirë është ta interpretojë rolin.

Në krye të Karagumruk iu desh pak kohë për t’u përshtatur, më pas skuadra ndryshoi ritëm dhe u ngjit në mes të klasifikimit. Ndalimi i kampionatit, i shkaktuar nga tërmeti i tmerrshëm në Turqi, i detyroi të gjithë të futeshin në fushë për një kauzë krejt tjetër se sporti (përfshirë Pirlon).

“Kur isha lojtar, ishte ndryshe dhe në një farë mënyre edhe më e lehtë, – pranoi Pirlo në një intervistë për “Daily Mail”. – Si lojtar mendoni vetëm se si mund të luani, rezultatin, nëse luani mirë apo jo. Nëse je trajner, duhet të kuptosh gjithçka. Duhet të flasësh me 20 njerëz me mendësi të ndryshme”.

Ekziston vetëm një mënyrë për t’i bërë të gjithë të bien dakord dhe të respektojnë katër “recetat”, pjesë e kompletit të tij si trajner. Ai i deklaron ato pa rend të veçantë, sepse të gjitha kanë të njëjtën vlerë. Për këtë ishte i vetëdijshëm edhe Cristiano Ronaldo, me të cilin “kurrë nuk ka pasur probleme, por gjithmonë ka dashur të luajë”. Të gjitha çojnë në të njëjtën pasojë, nëse kaloni vijën e kuqe.

“Rregullat? Unë kam tre, maksimumi katër, – shtoi Pirlo. – Së pari, nuk më pëlqen që lojtarët të kenë telefona para ndeshjes. Nuk më pëlqen të vijnë me vonesë në stërvitje apo grumbullime. Nëse e bëjnë është e thjeshtë, nuk luajnë. Kur je në fushë duhet të japësh gjithmonë më të mirën, pa kursyer veten. Pastaj je i lirë të bësh çfarë të duash”.

Duke folur për dhënien e gjithçkaje deri në rraskapitje dhe mentalitetin fitues, Pirlo mori mësime nga një prej trajnerëve ikonë për sa i përket intensitetit emocional dhe stresit fizik, karshi të cilëve i nënshtron futbollistët e tij. Cili është tekniku në fjalë? Përgjigje e lehtë: Antonio Conte.

“Kam mësuar shumë gjëra prej tij. Ishte shumë e rëndësishme për mua të kuptoja mentalitetin e tij, sepse ai ishte një nga trajnerët më të mirë të karrierës sime. Mentaliteti fitues dhe përqendrimi janë çelësi i gjithçkaje”, – shton Pirlo.

Nga zemërimi i Contes deri te forca bindëse e liderit të qetë, rol të cilin Carlo Ancelotti, trajneri i tij te Milani, e bën në mënyrë të përsosur.

Pirlo gjithashtu mori mësime të mira prej tij: “Carlo është shumë i qetë, ai gjithmonë ka një fjalë për gjithçka. Është e rëndësishme, sepse nëse qëndroni në një ekip të madh, duhet të kuptoni se kur është koha për të folur dhe kur është më mirë të heshtni”.