Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë ka kërkuar që 17 shkurti të shpallet festë zyrtare kombëtare në Republikën e Shqipërisë. Kërkesa është bërë në kuadër të 15 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës që u festua ditë më parë.
Në kërkesë theksohet se duke qenë se kjo datë është një përmbushje e aspiratave shekullore të kombit shqiptar, atëherë 17 shkurti duhet të jetë festë zyrtare në vendin tonë, ashtu si në Kosovë.
“Duke vlerësuar 17 Shkurtin e vitit 2008, ditën e shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, si një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë tonë kombëtare;
si përmbushjen e një aspirate shekullore të kombit tonë në rrugën e tij drejt forcimit të identitetit, bashkimit kombëtar dhe integrimit në strukturat Euro – Atlantike; si një ditë të shënuar që frymëzon çdo shqiptar; si ngjarje madhore për të cilën kanë kontribuar shqiptarët anembanë botës, me mbështetjen e fuqishme të SHBA-ve, BE-së, NATOs dhe vendeve të tjera aleate dhe mike,
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë i ka drejtuar një kërkesë zyrtare Kuvendit, më dt. 21 Shkurt 2023, për të ndërmarrë nismat përkatëse ligjore për ta shpallur këtë datë Festë Zyrtare të Republikës së Shqipërisë. Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë beson se një vendim i tillë do të gëzonte dhe do të mbështetej nga çdo shqiptar kudo ku jeton, pavarësisht bindjeve politike”-thuhet në kërkesën e bërë.
Në 17 shkurt të këtij, viti ashtu siç tashmë është kthyer në traditë, presidenti i vendit, Bajram Begaj ishte në Prishtinë në një vizitë 2 ditore në kuadër të festimeve të përvejetorit të shpalljes së pavarësisë së vendit.