Autoritetet ukrainase bastisën të mërkurën shtëpinë e miliarderit me ndikim Ihor Kolomoiskiy. Një aleat i Presidentit Volodymyr Zelenskyy e cilësoi veprimin si një goditje gjithëpërfshirëse ndaj korrupsionit gjatë kohës së luftës, që do ta ndryshojë vendin.

Policia bëri kontrolle të tjera në zyrën e taksave dhe shtëpinë e një ish-ministri të brendshëm me ndikim, dy ditë përpara se Kievi të zhvillojë një takim të nivelit të lartë me Bashkimin Evropian, në të cilin dëshiron të tregojë se po e godet korrupsion.

Ukraina e sheh takimin e së premtes si mjaft të rëndësishëm lidhur me shpresat e saj për t’u anëtarësuar në BE, një qëllim që është bërë më urgjent pas agresionit të Rusisë. Dorëheqjet ose shkarkimet e 12 zyrtarëve ukrainës javën e kaluar shënuan një ndryshim politik në vend.

Zyrtarët e sigurisë kontrolluan shtëpinë e biznesmenit Ihor Kolomoiskiy, një nga njerëzit më të pasur të Ukrainës dhe dikur aleat i Presidentit Zelenskyy, në atë që disa media thanë se kishte lidhje për krime të mundshme financiare.

Biznesmeni Kolomoiskiy nuk mund të kontaktohej menjëherë për koment. Më parë ai ka mohuar çdo keqbërje.

Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës (SBU) tha më vonë se kishte zbuluar një skemë për përvetësim të më shumë se 1 miliard dollarëve në prodhuesin e naftës Ukrnafta dhe kompaninë e përpunimit të naftës Ukrtatnafta, më parë të zotëruara pjesërisht nga zoti Kolomoiskiy.

David Arakhamia, një anëtar i lartë i partisë në pushtet “Shërbëtori i Popullit”, e konfirmoi kontrollin e shtëpisë së zotit Kolomoiskiy, si dhe bastisjet e veçanta të kryera në zyrën e taksave dhe në shtëpinë e zotit Arsen Avakov, një ish-ministër i brendshëm.

Zoti Arakhamia tha se do të shkarkoheshin të gjithë drejtuesit e lartë të Sherbimit Doganor dhe se zyrtarë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes ishin njoftuar se ndaj tyre kishte akuza. Ai nuk dha detaje të tjera.

“Vendi do të ndryshojë gjatë luftës. Nëse dikush nuk është i gatshëm për ndryshim, atëherë vetë shteti do të vijë dhe do t’i ndihmojë ata të ndryshojnë”, shkroi zoti Arakhamia në aplikacionin e mesazheve Telegram.

Korrupsioni

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm tha më vonë përmes një deklarate se “Korrupsioni në kohë lufte është plaçkitje” dhe se katër zyrtarë të lartë aktualë ose të mëparshëm janë njoftuar se ndaj tyre ka dyshime, po ashtu edhe drejtuesit e lartë të kompanisë Ukrtatnafta.

Kreu i Byrosë Shtetërore të Hetimit tha se aksioni i organeve të rendit ishte vetëm fillimi.

Beteja e gjatë e Ukrainës kundër korrupsionit ka marrë një rëndësi jetike, pasi agresioni i Rusisë e ka detyruar Kievin të varet kryesisht nga mbështetja perëndimore dhe se ai vend duhet të kryejë reforma për t’u bashkuar në bllokun e BE-së prej 27 vendesh.

VOA