Gjykata e Tiranës ka vendosur arrest me burg ndaj 47-vjeçarit Majdiel Husa, i akuzuar se nuk tregoi për vdekjen e shokut të tij Elton Tahirit nga mbidoza e drogës, por e hodhi në përrua pasi e kishte mbajtur disa ditë në banesën e tij.
Sipas policisë, mbidoza e kokainës dhe heroinës i ka marrë jetën 48 vjeçarit Elton Tahiri, trupi i të cilit u gjet më 13 shkurt pranë përroit të Limuthit në Bërxullë.
Viktima ishte bashkë me shokun e tij Majdiel Husa në banesën e tij në Laprakë kur për shkak të mbidozës humbi jetë.
Në dëshminë para hetuesve 47-vjeçari ka thënë se kishte frikë se mos akuzohej, ndaj e mbajti disa ditë në shtëpinë e tij dhe më pas e transportoi me makinë dhe e la në përroin e Limuthit.
Elton Tahiri dhe Majdiel Husa kishin disa ditë që ishin deportuar së bashku nga Gjermania dhe që prej kthimit kanë qëndruar së bashku në banesën e Husës në Laprakë, pasi jetonte i vetëm dhe nuk kishte familjarë. Viktima nuk kishte kontaktuar për asnjë moment me familjarët e tij dhe nuk u kishte treguar se ishte kthyer nga Gjermania.