Dy sportistet Klodiana Shala dhe Luiza Gega janë përplasur në distancë me njëra-tjetrën për shkak të një historie dashurie. Klodiana Shala zbuloi në një intervistë televizive se ish partneri i saj (Taulant Stermasi) është sot në krah të atletes Luiza Gega.
Ajo foli për këtë marrëdhënie duke kujtuar se vite më parë, Luiza shkonte në shtëpinë ku jetonte me partnerin dhe e ndihmonin sepse kishte probleme ekonomike.
“Jemi njohur kur isha 18 vjeç e gjysmë dhe jam ndarë kur u bëra 33 vjeç. Janë goxha vite. Kam një tip që edhe po të kisha ndonjë gjë të keqe nuk dua ta them sepse 14 vite nuk janë pak.
Nuk më mbajti njeri me zor gjatë asaj kohe. Erdhi një pikë që nuk kishim më respekt për njëri-tjetrin. Por jeta vazhdon, ai vazhdon karrierën pas medaljeve të mia. Ai sot është në krah të Luizës. I uroj të dy kur marrin medalje. Edhe Luizën sepse atë pothuajse e kam rritur vetë.
Si Luiza edhe shumë sportistë të tjerë vinin në shtëpinë tonë. Sepse thoja gjithmonë mua sikur Zoti m’i sjell njerëzit që kanë shumë probleme, s’kanë mundësi ekonomike. Dhe kam dashur që të shkojnë të gjithë shumë larg kur kanë talent. Ky ka qenë parimi im, pavarësisht e dinë apo s’e dinë, unë e bëj me dëshirë”, tregoi Shala.
Deklarata e saj e fortë bëri xhiron në rrjete sociale ndërsa Luiza Gega ka reaguar për herë të parë duke thënë se Klodiana Shala bën gjithmonë diçka viktimizuese për të marrë vëmendje. E kontaktuar nga ‘Panorama Plus’ tha që flet për një histori që është mbyllur 10 vite më parë ndërsa thotë se gjithçka që përmend ‘mbajtjen me bukë’ nuk është e vërtetë.
“Nuk asgjë për të thënë, sinqerisht jam kaq shumë në fokus tek punët e mia. Nuk është se çuditem nga asgjë që thotë Klodi pasi gjithmonë do gjejë diçka viktimizuese për të patur pak vëmendje. Mund të them vetëm kaq: Kurrë po kurrë, jo vetëm Klodit por askujt jo ti kem bërë keq, por as se kam çuar nëpër mendje. S’kam pasur kurrë konflikt, me Klodin jo e jo, por me asnjë.
Ajo që më bën përshtypje është që Klodi flet akoma për një histori të mbyllur më shumë se para 10 vitesh dhe për mbajtje me bukë që ju ka bërë njerëzve nuk është aspak e vërtetë. Por dhe sikur të jetë, më duket shumë gjë e ulët ta përmendësh. Gjithsesi nga Klodi dëgjoj kaq shumë gjëra dhe asgjë s’të bën më përshtypje asgjë”, u shpreh Luiza Gega.