Ditë më parë, Policia e Kosovës ka realizuar një operacion anti-drogë në Mitrovicën e Veriut, ku kanë arritur të zbulojnë tri laboratorë të drogës në tri lokacione të ndryshme.

Pas këtij operacioni që ka rezultuar me arrestimin e dy personave të nacionaliteti serb, ka reaguar kryeministri i vendit, Albin Kurti i cili ka thënë se bandat kriminale të sponsorizuara nga Beogradi nuk do të ndalen për t’i mbrojtur ndërmarrjet e tyre të paligjshme, qoftë kjo edhe me ngritjen e barrikadave të armatosura.

“Policia e Kosovës ka shkatërruar dje 3 laboratorë ilegalë të drogës në veri të Kosovës, një fitore e qartë për sundimin e ligjit. Bandat kriminale të sponsorizuara nga Serbia nuk do të ndalen para asgjëje – duke përfshirë barrikadat e armatosura dhe sulmet e dhunshme ndaj policisë – për të mbrojtur ndërmarrjet e tyre të paligjshme. Ata do të dështojnë”, kishte shkruar Kurti në Twitter.

A rrezikohet përsëri Kosova me rikthimin e barrikadave në veri, flasin nga opozita e analistët.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi për “Arbresh.info” deklaroi se nëse nuk bashkëpunojmë me aleatët, mund të kthehen grupet kriminale.

Por, sipas saj, gjasat janë të vogla pasi kryeministri e ka pranuar planin franko-gjerman.

“Kurti duhet të bashkëpunoj me aleatët tanë që mos me u kthy grupet kriminale. Nëse Kurti nuk e dëgjon SHBA-në dhe Bashkimin Evropian, normal që edhe ajo ndodh, por nuk besoj që shkojnë deri në këtë pikë. Pasi tash e ka pranuar planin franko-gjerman edhe për dialog, do të ecim tutje me bisedime”, potencoi Krasniqi.

Ndërsa, analisti politik, Ritvan Berisha për arbresh.info u shpreh se kjo deklaratë e Kurtit ishte e pamatur, dhe mos respekt për punën e institucioneve të sigurisë së Republikës së Kosovës.

“Kjo deklaratë e Kurtit ishte e papjekur dhe shfaqi mos respekt për punën e institucioneve të sigurisë së Republikës së Kosovës. Prandaj, unë gjykoj se, edhe paralajmërimet publike të kryeministrit Albin Kurtit, se në veri, grupet kriminale mund të vendosin sërish barrikada në rrugë, janë deklarata të pamatura edhe po them, nëse krejt e tillë qëndron situata”, tha ai.

Tutje ai shtoi se kryeministri duhet të koordinohet me aleatët dhe NATO-n në mënyrë që të mos kërcënohet situata atje.

“Kryeministri duhet të koordinohet me aleatët, këtë duhet t’a bëjë në mënyrë që vendimet e njëanshme të mos e kërcënojnë situatën atje edhe pse në parim vendimet e Qeverisë janë të ligjshme. Koordinimi me NATO-n dhe aleatët u pa edhe nga zhvillimet e fundit se do të duhej të ishte prioritet mbi prioritete kur i referohemi taktikave të Serbisë e cila hapur po ndërhyn në frikësimin e serbëve, rrjedhimisht në cenimin e sigurisë në Kosovë”, deklaroi Berisha.

Në fund ai deklaroi se kokëfortësia e Kurtit shërben vetëm për elektoral dhe sipas tij, kjo më pas kthehet në rrezik.

“Mendoj se, vëmendja e shtetit tonë duhet të fokusohet me insistim në çështjen e koordinimit me aleatët, sidomos me SHBA-të. Përndryshe, kokëfortësia e Kurtit shërben për pishinë elektorale dhe kthehet në rrezik, siç e kemi parë, të lavdërohet Serbia për konstruktivitet e Kosova të qortohet. Ky është leksioni. A e ka marrë këtë mësim Kurti, dëshiroj të besoj se po”, deklaroi Berisha.

Por ndryshe mendon analisti, Fatmir Sheholli, ai thotë se serbët nuk janë të interesuar më për të vendosur sërish barrikada, në këtë kohë të planit franko-gjerman dhe asociacionit.

Sipas tij kjo deklaratë e Kurtit është për konsumin të brendshëm.

“Kjo është një deklaratë për konsum të brendshëm. Ne zyrën e kemi në veri. Informacione të tilla që serbët janë të interesuar të vendosin sërish barrikada, siç ka thënë ai të armatosura, ne nuk kemi informacione të këtilla dhe un fare nuk besoj që serbët janë të interesuar për barrikada në momentin që pritet të finalizohet plani franko-gjerman dhe natyrisht formimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe”, u shpreh Sheholli.

Kujtojmë se situata në pjesën veriore të Kosovës u tensionua vitin e kaluar për shkak se Qeveria e Kosovës vendosi që të largojë nga qarkullimi targat ilegale me akronimin KM si dhe akronime tjera PR, GL, PE etj., të cilat lëshoheshin për serbët e Kosovës nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.

Ky vendim u kundërshtua nga serbët lokal dhe nga Beogradi zyrtarë.

Situata nisi të tensionohet edhe më shumë kur u shkarkua nga pozita e drejtorit të policisë në veri, Nenad Gjuriq.

Si kundërshtim i kësaj, partia më e madhe serbe në Kosovë, Lista Serbe ka dhënë dorëheqje nga të gjitha institucionet e vendit deri në rikthimin e tij në punë.

Por kjo nuk mjaftoi, në ditët në vazhdim dorëheqje dhanë edhe zyrtarët serbë të Policisë së Kosovës, të sistemit të drejtësisë, ata të nivelit lokal dhe atij qendror.