Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, ka thënë se Marrëveshja e Brukselit është ratifikuar nga Parlamenti i Kosovës, “duke e bërë atë obligim juridik ndërkombëtar për Kosovën”.

“Ne e kuptojmë se kjo çështje është e ndjeshme për Qeverinë e Kosovës, por obligimet duhet të përmbushen”, ka thënë Lajçak, duke iu përgjigjur pyetjes se pse ende nuk është formuar Asociacioni i Komunave Serbe, shkruan agjencia e lajmeve Beta.

Siç tha ai, “qëndrimi i BE-së dhe i SHBA-së dhe i partnerëve të tjerë ndërkombëtarë është se çdo vonesë e mëtejshme është e papranueshme”.

Ai tha se BE-ja aktualisht është duke punuar në dy pista në mënyrë që dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës të ecë përpara.

“Së pari, prioritet është që të dyja palët të bien dakord për propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve. Së dyti, ne vazhdojmë të punojmë paralelisht për të siguruar zbatimin e plotë dhe të menjëhershëm të të gjitha elementeve të asaj që është rënë dakord deri më tani në dialog e të cilat mbeten të vlefshme dhe të detyrueshme për të dyja palët”, tha Lajçak.