Shtëpia dhe jeta ormisën që martesa e saj me një kryebashkiak (e më pas kryeministër) të mos ndryshonin klishetë e perceptimit për një bashkëshorte politikani.
Koha do të kishte një peshë prapavështruese për të, sepse ajo ishte “një variant i ndryshëm” brenda traditës së mendimit për konceptin e gruas “jo-aktive” në politikë.
Ajo nuk ryzon aspak në ndërgjegjen e saj kur gemton si në filmin e Charlie Chaplin, “Modern Times”, për vështirësitë që vijnë me të jetuarit në një botë në tranzicion të industrializuar.
Edhe pse duket se e gjen veten në situata të këqija ajo merendon për zgjedhjen e saj jashtë shoqërisë problematike në një kohë kur autoriteti përfitonte nga klasa punëtore dhe i jepte përparësi efikasitetit mbi njerëzimin.
Përmes rrugëtinave të mendimit si profesioniste ajo kujton se si u dromcua kultura e tregut pa kurrëfarë vlere.
Njësoj si kalamendjet e njerëzve ndaj padijes, platforma e saj më e re do të jetë një hapësirë dedikuar profesionistëve dhe ekzistencës së gjallë të tyre duke shmangur perversionin e largimit të tyre nga vendi.
E mandej, ndryshimi frenetik i brezave për të i ka dhënë jo vetëm prioritet kryesor dhe të padelegueshëm rolit të prindit por edhe dinamik në gëlimin e saj.
Ajo bliron emocionet, provat dhe sprovat e pangjashme me asgjë tjetër në përpjekje konstante për të mos u demotivuar dhe dekurajuar nga vështirësitë.
Pa i trokitur Mephistopheles, e pa pasur hovin e një heroine faustiane përditshmëria e saj është e mbrujtur me zakonshmërinë e një nëne, gruaje, bashkëshorteje tipike përballë publikes (shoqërisë) dhe politikës (individit).
Ajo nuk e shikon vëngër barazinë gjinore si hakërrimë e modernitetit, duke përjashtuar gjuhën dhe komunikimin e saj nga simptoma e pushtetit veçse mashkullor në pabarazinë e debatit për këtë fenomen.
Ndërsa kur nuk do të ngryset mbi gjurmët e problemeve sociale të vendit duke i zvogëluar, vazhdon të tregojë se ka lindur për politikën e “të pafavorizuarit”, e ky është favori më i madh i një lideri natyral.
Sepse edhe për ëndërrimtarët dhe rishtarët e politikës, shtegu i së nesërmes për një Rama të dytë është i hapur.
Ndoshta një model imponues si Michelle Obama kundron para fatit të Linda Ramës.
Intervista e plotë për Albanian Post me Linda Ramën:
– Pse u desh kohë që Linda të kornizonte veten në një dimension, i cili e përfshin atë vetë si palë e shkuar dhe e tashme?
Martesa me Edin në vitin 2010, shtoi një dimension të ri në jetën time, atë të bashkëshortes së kryetarit të bashkisë së Tiranës dhe njëkohësisht kryetarit të opozitës. Mjafton të hapet dritarja ime Linda.al tek intervista e parë në Top Story, të enjten e javës së martesës dhe më pas edhe intervista e fillimvitit 2013 po në të njejtin emision, për të kuptuar klishenë e perceptimit në atë moment të një bashkëshorteje politikani dhe për më tepër të një politikani në majën e pushtetit.
Sa shumë mosbesim e pamundësi kishte për ta imagjinuar dhe lëre pastaj besuar se mund të ekzistonte një “variant i ndryshëm” nga klisheja e ngulitur në mendjen e shumëkujt. Ashtu si me pahir e kuptova që nuk kishte asnjë mënyrë tjetër për të “vizatuar” profilin tim në sytë e një opinioni mosbesues, përveçse duke e mirëkuptuar dyshimin apo mosbesimin dhe duke ia lënë kohës të fliste për atë që unë do të isha në krah të Edit politikan apo më tej në krah të Edit kryeministër.
Duhej me durim ta lejoja kohën të rrëfente si dëshmitarja më e mirë, për këtë dimension që ishte e mbetet pa dyshim më sfiduesi për mua. Ja pse linda.al nuk mund të krijohej më parë. Do të ishte jo vetëm një përpjekje e destinuar për t’u paragjykuar, por edhe e padrejtë në kuptimin e një sforcimi për të diktuar në publik thjesht Lindën profesioniste, ndërkohë që për publikun, doja s’doja isha përsëpari Linda bashkëshorte e njeriut të cilit gjykuesit e mi mosbesues i kishin besuar fillimisht mbarëvajtjen e kryeqytetit dhe më pas i besuan mbarëvajtjen e vendit.
Po ka edhe diçka tjetër them në këtë “vonesë”, që është fakti se unë nuk i besoj asnjë lloj qasjeje të ngutur, imponuese. Dhe besoj që koha e krijoi me ritmin e saj natyral hapësirën e Linda.al si një pasqyrë të plotë të qenies sime si nënë, qytetare, profesioniste dhe bashkëshorte e Edit kryeministër.
Fakti që Linda.al i ka bërë të ndjehen mirë vizitorët e saj më gëzon vërtetë.
– Dikur, Linda në një shoqëri sociale filloi punë në kombinat tekstil. Më pas, Linda si pjesë e një socializimi kapitalist, të paskrupullt, ku edhe gjen suksesin si ekonomiste. Ku qëndrojnë ndryshimet e Lindës në këto dy epoka?
Më kthyet pas, tek puna e parë. Mund të them që trajektorja e jetës dhe e karrierës time është jashtëzakonisht interesante. Puna ime e parë ishte në një prej qelizave më të mëdha ekonomike të asaj kohe, në një kombinat me mijëra të punësuar dhe me një prezencë domethënëse ekonomistësh dhe inxhinierësh, të zgjedhur me aftësitë për të zgjidhur situatat me të cilat i ballafaqonte prodhimi.
Të punoje në një ndërmarrje të tillë ishte një mundësi për të kuptuar disiplinën, ekonominë e aplikuar, punët dhe profesionet në reparte e fabrika të lidhura si hallka të një zinxhiri të vetëm prodhues, dinamikën e hierarkive dhe rregullat e dukshme dhe të padukshme të funksionimit të tyre, raportet njerëzore, frikërat dhe pasiguritë, ligjësitë e kolektivit punonjës siç quhej dhe përgjegjësitë individuale.
Aty në Kombinat e ndoqa si dëshmitare e vëmendshme procesin e degradimit ekonomik të një ndërmarrje aq të madhe, brenda rrethit vicioz të komunizmit që ishte në kohën e përmbylljes së vet kolapsuese. Aty preka edhe pasigurinë masive nga kërcënimi i papunësisë në kontekstin e përgjithshëm kaotik të shembjes së pandalshme.
Aty kuptova njëkohësisht se sa e rreme kishte qënë e përditshmja, se sa e dëmshme sipërfaqësorja, se sa organikisht pamundësuese burokracia e atij sistemi dhe sesa e pafuqishme zotësia individuale për të ndikuar kursin e gabuar që ishte diktuar prej kohësh nga lart.
Ky ka qenë momenti kur u ndjeva e humbur në mes të një udhëkryqi dilemash krejt të reja, për të cilat kisha nevojën urgjente të riorientohesha, dhe pa humbur kohë, në majin e vitit 1992 aplikova, në të parën mundësi që mu krijua, për të kryer studime të thelluara jashtë Shqipërisë; në Universitetin e Evropës Qendrore në Pragë.
Punësimi në Agjencinë Kombëtare të Privatizimeve menjëherë pas studimeve, ishte një mundësi dhe përvojë unike, jo vetëm për nga përmasa e sfidave me të cilat ndesheshe në ndoshta organin më të rendësishme të reformave, por edhe për të kuptuar hierarkitë e reja politike dhe administrative, përjetuar eksperiencën e presioneve dhe interesave që qarkullonin mes kategorish të vjetra e të reja, si ish pronarët, punëtorët a drejtuesit e ndërmarrjeve që privatizoheshin, ish të përndjekurit, sipërmarrësit e rinj, politikanët, qeverisësit, opozitarët.
Pjesë më vete ishte edhe dinamika e marrëdhënieve brenda administratës publike, e cila jetonte si mbi rrënojat e një tërmeti ku rendi i gjërave dhe lëvizjeve mbi sipërfaqe ishte i përmbysur, po ku nuk mungonin edhe përpjekjet për t’u rritur profesionalisht, pandashmërisht me barrierat dhe rreziqet shoqëruese në ato lëvizje.
Aty u ballafaqova me firmat piramidale, marrëzinë dhe aventurën më të madhe sociale të tranzicionit. Aty pashë presionin shtrembërues që ndryshimi i maxhorancave qeverisëse krijonte për administratën publike, arbitraritetin politik mbi institucionet, sjelljen krejt të papjekur të politikës ndaj punonjësve të shtetit.
Aty përjetova dhe tmerrin e 14 shtatorit 1998, në zyrën time, në ballkonin e katit të dytë të godinës përballë Kryeministrisë, deri pak minuta përpara se të fillonte zaptimi dhe bastisja për disa orë e institucioneve, përfshirë dhe të atij që unë drejtoja.
Aty provova, vetëm pak muaj më pas, se si një administrator të lartë publik e largojnë nga puna pa asnjë shkas të lidhur me detyrën apo me profesionin, me vulën e një vendimi qeverie marrë për interesa jopublike, pa motivacion dhe pa asnjë njoftim, duke e hedhur në mes të rrugës, pa i ofruar asnjë mundësi tjetër për punësim.
U ndala mbase një minutë, mbase dy, aty në rrugë përballë asaj godine që s’kishte asnjë përgjigje për mua dhe u betova me zë: Kurrë më në një zyrë shteti!
Ky largim dhe betim, në vitin e largët 1998, më dhanë forcën për të krijuar një institucion të pavarur, ndër të parët e llojit të tij në Shqipëri si shprehje e vetëdijes që vetëm e pavarur do të mund jo vetëm të vijoja të rritesha profesionalisht, por edhe të isha e lirë të mendoja dhe të shprehesha hapur lidhur me dilemat apo sfidat e mëdha të kohës.
Çfarë ka ndryshuar tek unë? Shkalla e njohjes së botës, përvoja, kurajo dhe durimi për t’u orientuar, ballafaquar e për të kontribuar në të.
– Linda ka shkruar dhe është marrë me çështjen e privatizimeve post 97’! Kush është dallimi që u bë në privatizime në Shqipërinë post komuniste me vendet e tjera të lindjes? Terapia e shokut u aplikua vetëm te ne. Pse ?
Terapia e shokut ishte një teori mjaft triumfuese dhe një praktikë shumë e përhapur në vendet e Lindjes. E cila e pati manifestimin e vet më agresiv në Rusi dhe Poloni. Në Shqipëri, terapia e shokut u zbatua në një formë jo vetëm agresive po edhe më një nivel verbërie të frikshme, mes një kaosi social që i ndikoi vendimmarrjet mbi reformat, po sidomos zbatimin e tyre kuturu në fillimvitet ’90 si një haraç për t’i paguar të shkuarës.
Haraç për të shkuarën pasi në vendet e tjera të Lindjes, rënia e murit komunist ishte një rikthim në kohërat kur ekonomia e tregut funksiononte me ligjësitë, institucionet dhe pronarët e saj, kurse në Shqipëri jo vetëm që e shkuara nuk ofronte kulturë tregu, sipërmarrës dhe institucione tregu, por asaj i mungonte gjithashtu elita e përgatitur politike dhe ekonomike që mendonte ndryshe dhe jashtë shablloneve të ideologjisë marksiste-leniniste. Mendoj që mungesa e kësaj elite ishte dhe dëmi dhe varfëria më e madhe që komunizmi i bëri peshqesh Shqipërisë së ‘90-tës.
Privatizimi i pronës shtetërore në Shqipëri më së shumti ndodhi së bashku me rrënimin e saj, ku shteti gjendej vijimësisht nën trysninë e interesave individuale të ish punonjësve dhe drejtuesve, të palëve potenciale përfituese si ish pronarët dhe ish të përndjekurit politikë dhe për më tepër, të preferencave të partive politike dhe eksponentëve të tyre, të cilat e kuptuan shumë shpejt që privatizimi ishte pushtet.
Privatizimi i ndërmarrjeve shtetërore, ndryshe nga ai i njësive tregtare dhe banesave, ishte shumë më i vështirë, në kushtet kur stoku i ndërmarrjeve ishte tepër i madh për një Shqipëri që nuk ofronte blerës, ku investimet e huaja ishin herezi për disa dekada dhe Shqipëria ishte një realitet plotësisht i panjohur për botën e këtyre investimeve krahasuar me vendet e tjera të lindjes, kultura e pronës private nuk ekzistonte dhe nuk ekzistonin gjithashtu as institucionet ndërmjetësuese si fondet e investimeve apo tregu i kapitalit.
U bënë përpjekje edhe për të ristrukturuar disa dhjetëra ndërmarrje shtetërore për t’i bërë më tërheqëse për investitorët, por pa rezultat.
As modeli i zgjedhur për privatizimin e ndërmarrjeve të mëdha me ankand apo nëpërmjet privatizimit masiv, si një formë më e thjeshtuar e atij të përdorur pothuaj në të gjitha vendet e Lindjes, nuk mundi të krijonte institucione të qendrueshme të tregut të kapitaleve si fondet e investimeve dhe bursën. Ato pak institucione që u krijuan, ose u çbënë ose nuk e kryen funksionin e tyre dhe “bonot e privatizimit” apo “letrat me vlerë” mbeten tek njerëzit si një relike ironike e kontributit të tyre në krijimin e pronës së përbashkët. Pa kurrëfarë vlere.
Sigurisht që është më e lehtë sot të mendosh dhe të gjykosh se si gjërat mund të bëheshin ndryshe, por ajo që mund të them është se privatizimi i ndërmarrjeve krijoi pronë private dhe pronarë të rinj, por përgjithësisht dështoi të krijonte pronarë realë, aktivitet ekonomik, kulturë tregu dhe institucione të kapitaleve.
Duke e shpërdoruar rëndë shancin për të fituar kohën e humbur për disa dekada, ajo Shqipëri u bë edhe një shembull ulëritës i peshës së pashmangshme të historisë mbi të ardhmen e një vendi.
– Në prezantimin tuaj të Linda.al thirrja duket të jetë ajo e një shoqërie që ka nevojë të lindë, pse jo edhe përmes Lindës, pra është thirrja e një Linde që i duhet sistemit. Si mendon do të jetë ndërlidhja e Lindës me shoqërinë? Cila nga të dyja do i shërbejë më shumë tjetrës?
Puna ime e përditshme në vite më ka prezantuar me shumë njerëz të aftë, profesionistë të zotë, e pasionantë të mëdhenj. Kudo, në të gjithë Shqipërinë. Teksa po finalizohej linda.al më shfaqej si endërr e bukur dëshira që në një moment, të mund të shfaqeshin të gjithë profesionistët shqiptarë në dritaren e tyre digjitale dhe ju siguroj që do të shihnit një ushtri të madhe me ekonomistë, gjeologë, agronomë, arkitektë, ndërtues, teknikë, elektronistë, mjekë, inxhinierë, bankierë, historianë, linguistë, filozofë, psikologë, juristë, artistë, punonjës socialë, fizicienë, matematicienë e shumë e shumë të tjerë, të të gjitha moshave.
Të shfaqeshin si provë e gjallë e ekzistencës së tyre, duke mbjellë optimizëm për të sotmen dhe për të ardhmen.
Kështu do të na kujtonin edhe se sa e rendësishme është që shteti dhe privati të kujdeset për t’i krijuar kësaj armate hapësirat dhe kushtet për t’u dëgjuar dhe për t’u motivuar për të dhënë më të mirën e tyre. Nuk mund të presim që të bjerë tërmeti që të dëgjojmë dhe vlerësojmë inxhinierin, të na mbulojë pandemia që të dëgjojmë nga mjeku dhe infermieri, të sulmohemi nga krimi digjital që të kërkojmë informaticienët, apo të tronditemi nga financat që të dëgjojmë ekonomistët.
Ka kaq shumë lajm sot, madje deri në një lloj promovimi me një dashje gati-gati perverse, për largimet nga vendi, ndërsa nuk thuhet asnjë fjalë e vetme për suksesin dhe jetën që kjo armate njerëzish ndërton këtu, në vendin e tyre.
Mendoj që kujdesi ndaj armatës së profesionistëve dhe njerëzve te thjeshtë të punës në këtë vend është i rendësisë të dorës së parë. Të mos i mërzisim shpirtin, të mos i ngrysim portretin dhe të mos i trazojmë jetën. T’i motivojmë e vlerësojmë, pasi vetëm kështu shoqëria do të jetë më e paqtuar, më e shëndetshme dhe shpresëplotë. Vetëm kështu përfitimi do të jetë reciprok, ata nga shoqëria dhe shoqëria nga ata.
– Si përjetohet mëmësia në faza të ndryshme moshe?
Zaho është bekimi më i madh në jetën time. Për çdo grua, ardhja e një fëmije, është një moment hyjnor, është fati që të shohësh, të prekësh dhe të jetosh një mrekulli. Ndërsa në një moshë të caktuar, kjo vetëdije merr realisht statusin e të vërtetës absolute duke mos qenë një nga korsitë e mëdha të vrapimit të jetës, por rrëmbyesi i të gjithë vemendjes duke shijuar maksimalisht çdo moment të rritjes së tij.
Me Zahon ndjek çdo detaj dhe kam kuptuar qysh kur ishte fare i vogël që edhe ne ishim të ndjekur prej tij deri në detaj. Më kuriozon shumë mënyra si mendon, më befason gjykimi i tij, gëzohem shumë kur konstatoj se sa e ndryshme është fëmijëria e brezit të tij nga e jona, më jep siguri kur kuptoj që i mban mend të gjitha çka i kam shpjeguar unë ndonëse nuk janë të pakta rastet kur i jep vetes shancin që të rebelohet, më befasojnë përpjekjet e tij për të më kapur në gabim me armët e mia dhe pastaj janë kaq të shumta dhe origjinale pyetjet që bën.
Janë jo të pakta rastet kur i jap të drejtë dhe janë shumë të tjera kur duhet të marr kohë për përgjigjet e mia duke kaluar në një proces thellimi dhe reflektimi për të cilin më ndihmon shumë edhe Rea, me këndvështrimet dhe gjykimin e saj. Në epokën ku jetojmë, nuk është vetëm mosha që ndikon prindërimin, por më së shumti konteksti, që është plotësisht i ndryshëm nga ai ku u rritëm ne vetë apo ai kur u rrit Rea dhe Gregu.
Është epoka e globalizimit, e komunikimit dhe informacionit të shumëllojshëm, e avancimit teknologjik, e konsumizmit të shfrenuar, e hendeqeve midis shtresave dhe lokaliteteve, e diversitetit të mendimit dhe gjykimit, e përmasës së lirisë, e zvogëlimit të dallimeve gjinore që shoqërohet me përgjegjësi të shtuara si për vajzat ashtu dhe për djemtë, e rritjes së pretendimeve dhe pritshmërive, e refuzimit të sakrificës dhe e dëshirës së shtuar për mirëqenie.
Të gjitha këto e kanë bërë rolin e prindit jo vetëm kryesor dhe të padelegueshëm, siç ka qenë gjithnjë po edhe dinamik në sensin e nevojës për të mësuar bashkë më fëmijën nga ndryshimi frenetik i botës, duke e detyruar prindin të përballet me një presion shumë më të madh të të përditshmes se sa ndonjëherë tjetër në histori. Gjetja e një ekuilibri të shendetshëm brenda këtyre dinamikave sfiduese, është një përgjegjësi serioze, parësore dhe e paneglizhueshme.
– Sa e vështirë është të qëndruarit pas një njeriu politik?
Të qëndrosh në krah të një njeriu politik nuk është e lehtë, ndërsa të qëndrosh në krah të bashkëshortit kryeministër, në vetvete përbën një sprovë. Cilido që është gjendur në këtë pozicion ka eksperiencën, konstatimet dhe përjetimet e tij dhe për këtë arësye mendoj që çdo përgjithësim do të çalonte.
Për sa më takon mua, mund të them që të qenit në krah të Edit në opozitë dhe në krah të Edit kryeministër është rrugëtimi më i jashtëzakonshëm në jetën time. Emocione, prova dhe sprova të pangjashme me asgjë tjetër dhe përpjekje konstante për të mos u demotivuar dhe dekurajuar nga vështirësitë, të papriturat, gënjimet dhe zhgënjimet që mund të të rezervojë e përditshmja.
Ju lutem të më lejoni ta lë deri këtu këtë përgjigje. Kjo sprovë nuk mund të shpjegohet në një paragraf dhe as në një intervistë dhe shpresoj që të marrë shtjellën e merituar atëherë kur Edi të ketë përfunduar misionin e tij.
– Sa e vështirë është të menaxhosh një familje kur bashkëshorti është tërësisht i marrë nga politika?
Vështirësia në përditshmëri është besoj e njëllojtë si për shumë gra apo burra që kanë zgjedhur të kenë pranë dikë që nuk e ndan kohën proporcionalisht mes punës dhe familjes. Qoftë në politikë, art, biznes, shkencë, media, rrjete sociale, akademi etj. ku të duhet që përveç angazhimit profesional, të mbash të gjithë peshën e ditës.
Ndërkohë të jesh bashkëshort apo bashkëshorte e një njeriu politik shoqërohet me një dimension tjetër në përditshmërinë tënde, me raportin tend me shoqërinë dhe publiken. Pasi politika është mision publik dhe si e tillë është një përgjegjësi jo vetëm e atij që merret me politikë, por dhe e jotja duke të ekspozuar plotësisht ndaj gjykimit të publikut.
Respekti për publiken, sjellja me pushtetin, raporti që krijon me mjedisin është një preokupim i përditshëm që i shtohet peshës së zakonshme duke krijuar modelin tënd.
– Linda si nënë, ku takohet dhe ku ndahet me publiken dhe me personalen?
Është e pandarë. Mbarëvajtja e publikes na lehtëson personalen ndërsa episodet personale që trazojnë shijen, kur je në këtë pozicion nuk ka se si të mos përjetohen në një plan më të përgjithshëm.
– Edhe pse momenti duket i vështirë, ka gjasë që Linda t’i futet vetë politikës?
Një fjalë dhe këshillë e mënçur thotë kurrë mos thuaj kurrë, sepse jeta është ajo që ndodh kur jemi duke bërë plane të tjera. Por, besoj që i kam dhënë politikës dhe publikes gjithçka kam mundur si profesioniste, qytetare dhe si bashkëshorte e Edit.
I kam dhënë e pakursyer pasionin, besimin, mbështetjen, kritikën, inspirimin, vemendjen, kundërshtinë, rezistencën, mirkuptimin, durimin dhe shpresën. Shumë intensivisht dhe shumë posaçërisht. Ndërkohë ruaj të njëjtin pasion për tryezën besnike të punës sime me të cilën jam e lidhur pandashmërisht dhe dëshirën që çdo minutë t’ja dedikoj Zahos dhe familjes.
– A ka Linda Rama një model të cilit i referohet, ose të paktën frymëzohet, nëse po cili është ai?
Po, prindërit e mi.
– Në intervistat tuaja, një pjesë të vëmendjes e zë roli i gruas shqiptare në shoqëri. Do të donim të dinim se si e shihni rolin e gruas shqiptare në politikë. Keni një emër që do të donit ta veçonit për kontributin e saj në këtë aspekt?
Nëse deri dje kemi qenë në kushtet e nevojës së madhe për të rritur pjesëmarrjen e grave në politikë dhe qeverisje, duke përdorur madje edhe forma detyruese si kuotat gjinore, sot jemi në një situatë krejt ndryshe. Numri i grave në politikë dhe qeverisje apo në drejtimin e institucioneve kryesore është jo vetëm i lartë, por në jo pak raste e tejkalon numrin e burrave.
Madje, tanimë ndihemi mirë në raport me një shumicë vendesh të tjera, të cilat, deri jo shumë kohë më parë, i shihnim nga poshtë në rangjet më të ulëta të klasifikimeve ndërkombëtare. Po pikërisht kjo arritje shumë e dukshme numerikisht, e cila na ka vendosur në një situatë shumë të veçantë dhe plotësisht të ndryshme nga më parë, na ka dhënë gjithashtu mundësinë të depërtojmë përtej numrave dhe të kuptojmë se, nëse, nga një anë, kjo përmbysje ka të mirat e saj, nga ana tjetër, del se nuk është as çelësi magjik për të zgjidhur problemet e mëdha të kulturës së mangët demokratike dhe institucionale.
Do të kisha dashur që kjo temë komplekse të merrte më shumë vëmendje në debatin publik, përtej përqendrimit në aspektet pa diskutim pozitive të ushtrimit të së drejtës së përfaqësimit dhe rritjes së pjesëmarrjes së grave në politikë, sepse, qoftë drejtpërdrejtë në politikë, qoftë në nivelet e qeverisjes, fenomenet kanë treguar se nuk janë të ndara me gjini, nepotizmi nuk është ekskluzivitet mashkullor dhe as meritokracia nuk është garanci femërore.
Keqpërdorimi i pushtetit nuk mund të portretizohet shabllon, si të ishte veç burrë dhe morali i autoritetit apo dhe autoriteti moral, si koncept e praktikë, nuk portretizohet domosdoshmërisht si grua, por i pari mbetet një kërcënim horizontal në çdo vakum të jetës institucionale, ndërsa e dyta një ambicie e kërcënuar nga lloj-lloj rrethanash dhe interferencash përgjatë vertikales së proceseve vendimmarrëse, pavarësisht se në majën e vendimmarrjes është një burrë apo një grua.
Është pa gjini edhe arroganca e pushtetit – nënkupto mungesa e modestisë dhe shqelmimi i etikës, jo vetëm kur vjen në qeveri, po edhe kur pretendon të vish në qeveri. I tillë është dhe subjektivizmi në përdorimin e këtij pushteti përfaqësues pavarësisht nëse ke një karrige në legjislativ apo ekzekutiv. Të citosh për të tjerët që në politikë kanë rëndësi parimet, morali, vlerat e qëndrueshmëria, kur e di që vetë mund të jesh në një borxh të madh me to, është njëlloj e papranueshme si për një burrë, ashtu dhe për një grua.
Pra, për të mos u zgjatur në një temë që, siç e thashë, do ia vlente të eksplorohej më gjatë, me vëmendje, durim dhe pa asnjë kompleks, le të themi se jemi në fazën kur një arritje e konsiderueshme numrash në aspektin e barazisë gjinore na e ka bërë të qartë pamjaftueshmërinë për t’u gëzuar me numrin. Si politika ashtu dhe administrimi i lartë publik nëse nuk janë endërr, pasion, vokacion i brendshëm për një qëllim të lartë, investim i përditshëm tek njerëzit dhe për njerëzit mund të ndodhi që fati ta sjellë që të gjendesh në majë e të mos dish çtë bësh, most ë dish si të veprosh apo edhe më keq, të sillesh gabim me të.
Dhe kjo vlen njëlloj për burrat dhe gratë ndaj meritokracia, integriteti në kuptimin e plotë të tij, aftësia për të mos ndrydhur, por për të frymëzuar armatën e madhe të punonjësve publikë dhe njerëzit e zakonshëm, ndjenja e misionit dhe ndjeshmëria ndaj shqetësimeve të njerëzve, mbeten qëllimet për t’u arritur qoftë nga burrat, qoftë nga gratë në politikë apo institucione dhe, si të tilla, ato duhet të jenë edhe të vetmet kritere vlerësuese të pashmangshme, si për burrat, edhe për gratë. Besoj që kjo është thirrja e së tashmes, tanimë që e shkuara e numrave të papranueshme është një mal i kapërcyer dhe e ardhmja e shkuarjes përtej numrave ngrihet para nesh si një tjetër mal për t’u kapërcyer.
– Sa i mjafton Lindës vetëm filantropia si protagonizëm social?
Protagonizmin social nuk e konsideroj aspak filantropi, por një mundësi për të thënë timen kur rasti e do. Personalisht kam respekt dhe vlerësoj çdokënd që mirëqënien nuk e lidh vetëm me veten, por dhe me të tjerët dhe më tej me të përbashkëtën. Duke filluar këtu me diasporën shqiptare, që ka qenë zgjidhës konstant i një pjese të problematikës të këtyre dekadave. Dhe me çdo shqiptar që solidaritetin e ka pjesë të të përditshmes.
Ashtu sikundër nuk më është dukur e arësyeshme që bashkëshortë pushtetarësh të përdorin pushtetin për protagonizëm personal në këmbim të interesave që vetëm e deformojnë mjedisin duke dëmtuar dhe kauzat dhe vetë pushtetin. Ndërkohë, është shumë inkurajuese që kompani të mëdha, kryesisht bankat dhe telekomunikacionet, e kanë përgjegjësinë sociale pjesë të axhendës së tyre, është pozitive gjithashtu që organizata të shoqërisë civile janë të mobilizuara në fushën e filantropisë, kryesisht në dobi të fëmijve dhe shtresave në nevojë. Përtej kujdesit për të kryer rregullimet ligjore që do të nxisnin filantropinë, mendoj që më shumë duhet bërë për rritjen e vizibilitetit të akteve të filantropisë dhe të mirnjohjes për to.
– Cilat do të ishin politikat dhe projektet, nëse ka një projekt, në lidhje me mbrojtjen e të dobtëve?
Mbrojtja e më të dobtëve nuk mund të jetë një projekt, as disa. Duhet të jetë një preokupim i përditshëm në rradhë të parë i politikës dhe i shtetit dhe i qeverisjes lokale, i materializuar në politikat publike, jo vetëm në kuptimin e mbijetesës, por në rradhë të parë të përpjekjeve për t’i nxjerrë nga varfëria.
Ne nuk mund të lejojmë që varfëria të trashëgohet. Kemi ende rreth 60 mijë familje që mbështeten me ndihmë sociale ku prevalon numri i anëtarëve në moshë pune. Rritja e ofertës së shërbimeve sociale për këto familje, rritja e ofertës për trajnim dhe punësim janë të rëndësishme.
Është një numër institucionesh dhe një numër i konsiderueshëm administratorësh publikë dhe lokalë të cilët janë të angazhuar çdo ditë në këtë drejtim në një sipërmarrje aspak të lehtë, pa lenë mënjanë këtu kontributin e jashtëzakonshëm që organizatat joqeveritare mbështetur nga donatorët ndërkombëtarë japin në këtë drejtim.
– “Emancipo burrat, gratë i ke të gatshme”, thotë një fjali. Si ju duket se ka ecur Shqipëria në emancipimin e përgjithshëm shoqëror, veçanërisht në çështje gjinore. Sa është detyrim i politikës emancipimi gjinor dhe zhdukja e mizogjinisë, sa i televizionit e agjencive të tjerë edukues dhe sa i vetë grave?
Besoj se gratë kanë treguar që nuk mund të presin emancipimin e burrave për të marrë shancet e tyre dhe zhvillimet gjinore në pesë dekadat e fundit, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në botë janë të jashtëzakonshme. Nëse burrat nuk e ndjekin kohën në të cilën jetojmë dhe dinamikën e saj, të humburit e parë dhe më të mëdhenj do të jenë vetë ata. Në Shqipëri shifrat tregojnë që vajzat janë performuese më të mira se djemtë në arsim, janë të afta për të këmbëngulur në avancimin e tyre pa lenë mënjanë as mëmësinë dhe as detyrimet familjare, ndërkohë që kushte të reja emancipuese janë krijuar dhe që lidhen me mundësitë e shtuara për informacion duke penetruar edhe realitetet e largëta, distancat janë shkurtuar dhe po shkurtohen gjithnjë dhe më shumë, janë shtuar rrëfimet e suksesshme dhe për më tepër fati e ka dashur që të jemi pjesë e kontinentit më të emancipuar në botë. Të gjitha këto garantojnë që emancipimi tashmë është vetëm çështje kohe. Në këtë përpjekje, nuk ka role të ndara, por të gjithë duhet të jemi në një axhendë të përbashkët, po aq sa gjithsecili duhet t’i qendrojë dhe të mos anashkalojë asnjë rast apo shfaqje që e dëmton këtë axhendë.
– Cila është njohja, përshtypja dhe ndjenja që ke për Kosovën?
Kam privilegjin të kem miq në Kosovë, ndërkohë që Kosova, në vitin 2013 më bëri dhuratë një eksperiencë disamujore, që nisi për shkak të një vështrësie të madhe që më bëri të pamundur punën në Shqipëri.
Përgjatë saj, kuptova jo vetëm që gjithçka ndodhte në Shqipëri ndiqej me interes të veçantë, por të ndjekurit në distancë i bënte të ishin më objektivë në gjykimet e tyre. Ajo eksperiencë, më njohu nga afër me një pjesë tjetër të kombit tonë, të popullit tonë, në cilësitë e veta më të mira.
– Mes famës dhe anonimitetit, kë do të zgjidhje?
Fama është larg së qeni qëllimi im dhe anonimiteti është larg së qeni obsesioni im. Nuk do të ishin zgjedhja ime as zhurma boshe për hir të famës dhe as heshtja e dëmshme për hir të anonimitetit. Të qenurit e dobishme, me sa mundem, për familjen time dhe për shoqërinë, është gjithnjë zgjedhja ime.
– Nëse do të mund ta editoje të kaluarën tënde, çfarë do të ndryshoje?
Jeta me bukuritë e vështirësitë e veta në fund të fundit ka qenë bujare me mua dhe nuk do të guxoja të rishikoja asgjë./Albanianpost.com