Analisti Lorenc Vangjeli tha në studion e emisionit “Të Paekspozuarit” se opozita nuk ka ofertë për shoqërinë shqiptare dhe se zgjidhja nuk vjen nga revolucioni i premtuar nga Berisha, por me normalitetin, përmes votës së popullit.

“Të shtunën dhe sot ne pamë një ballafaqim mes dëshirës dhe takatit. Dëshirës për të patur një opozitë të fortë dhe takatit. U fol për cunam, por doli që ishte impotent edhe kësaj radhe dhe kjo ka dy pamje, dëshpëruese. Ka një pafundësi arsyesh për të protestuar ndaj kësaj qeverisjeje, por shikojmë që ka gjithmonë e më pak arsye që shpresa të kondensohet te opozita. Kemi një diferencë mes interesit të një grushti gjithnjë e më të vogël njerëzish dhe interesit të madh publik.

Shoqëria shqiptare nuk mendoj se është e mpirë dhe e topitur, por është oferta e pamjaftueshme, sepse ndërmjet dy zgjedhjeve, asaj që vihet në tavolinë, një opozitë radikale dhe një opozite normale, një mendje e kthjellët do të zgjidhte këtë të fundit. Nuk ka mjet tjetër në demokraci, përveç mekanizmit të votës. Rama nuk përmbyset me revolucionin e premtuar, por me normalitetin”-tha Vangjeli.