“Mbështetje për rritjen e pagave vijon sërish për vitin 2023 me 7% . Do të përfitojnë mbi 19 mijë mjekë dhe infermierë në gjithë vendin”.

8 Shkurt, Lezhë- Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, bashkë me drejtuesin politik të qarkut Lezhë, Ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja dhe Kryetarin e Bashkisë Pjerin Ndreu, kanë inspektuar nga afër Qendrën Shëndetësore në Balldren- Lezhë, e rikonstruktuar nga programi kombëtar i rehabilitimit të qendrave shëndetësore.
“Qendra shëndetsore Balldren është rehabilituar falë programit të qeverisë shqiptare për rehabilitimin e 300 qendrave shëndetësore, ndërsa në fazën e dytë të këtij programi janë rehabilituar 40 qendra dhe për 2023 do të rehabilitohen 60 qendra të tjera shëndetësore “,- tha Manastirliu.
Duke folur për akreditimin e qendrave shëndetësore, Ministrja Manastirliu u shpreh:
“Eshtë një qendër e akredituar, pra e ka kaluar procesin e verifikimit gjatë vitit 2022, duke u akredituar për një periudhë 5-vjeçare. Janë në të gjithë vendit mbi 250 qendra shëndetësore dhe ambulanca të akredituara, që do të thotë që shërbimi ofrohet me një garanci të shtuar, por edhe me një siguri të shtuar për qytetarët dhe pacientët që marrin shërbime”- tha Manastirliu.
Në qendrën shëndetësore të Balldrenit, Ministrja Manastirliu ndoqi nga afër edhe procesin e vaksinimit me vaksinën kundër HPV, ku tha se ky program kombëtar i shtohet programeve që kontribuojnë direkt në parandalimin e sëmundjeve dhe ruajtjen e shëndetit të popullatës. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale theksoi se fokusi do të jetë tek mbështetja e personelit mjekësor me trajnime për edukimin në vazhdim, teksa foli edhe për rritjen e pagave me 7% këtë vit për 19 mijë mjekë dhe infemierë të sistemit shëndetësor publik.