Nga Mero Baze/
Kosova duhet ta pranojë marrëveshjen e ofruar nga Bashkimi Evropian, bazuar mbi planin franko- gjerman, jo si palë e ndëshkuar nga Perëndimi, por si një standard të shtetit të Kosovës. Kryeministri Albin Kurti po ashtu nuk duhet të kompleksohet nga e shkuara e tij revolucionare anti-perëndimore, por duhet të pranojë marrëveshjen e cila e çon Kosovën një hap para në konfirmimin e identitetit të saj shtetëror dhe ndërkombëtar.
Përpjekjet për të ballafaquar Albin Kurtin me të shkuarën e tij dhe sidomos populizmin e tij, janë legjitime në kuadrin e luftës politike në Kosovë, por nuk duhet të kthehen në një gjyq për vendimin e tij pro marrëveshjes. Albin Kurti le të paguajë politikisht për gënjeshtrat e tij, por Kosova nuk duhet të paguajë një çmim të rëndë për populizmin e tij. Albin Kurti i sotëm, pro evropian, është shumë më i dobishëm për Kosovën se sa Albin Kuti revolucionar. Koha ka provuar se ai me të njëjtin pasion që fliste për bashkim kombëtar, po me aq pasion nxiste urrejtjen ndaj Shqipërisë në Prishtinë.
Tani është mirë që po me aq pasion sa u flet militantëve për rrezikun nga Evropa dhe SHBA, po me aq pasion ta firmosë planin evropian. E di që ajo që e detyron të firmosë, mund të mos jetë bindja e tij pro perëndimore, por frika e humbjes së pushtetit, nëse nuk e firmos. Edhe kaq mjafton, për ta çmontuar atë si një lider populist dhe për ta kthyer në rrugë të mbarë. Dhe këtë qasje duhet ta ruajë deri në fund, përfshi këtu dhe bisedimet për Asosacionin. Asosacioni nuk është ndëshkim për Kosovën, por është garanci për serbët. Serbët do ta gjejnë gjithmonë një mënyrë tjetër për ta refuzuar pushtetin e Kosovës, nëse kështu i komandon Beogradi.
Por Kosova nuk duhet t’i lërë Serbisë arsye për të destabilizuar Kosovën me ndihmën e Perëndimit. Dhe për këtë duhet të ketë së paku një prej dy faktorëve aleat, ose Serbinë, ose Perëndimin. Më lehte e ka të ketë Perëndimin. Marrëveshja kështu siç është paraqitur dhe kështu si po shkojnë bisedimet, mendoj se ka më të rëndësishme pikën 12 të saj, atë që nuk është shkruar. Dhe ajo është pikërisht transformimi i Albin Kurtit nga një populist anti-perëndimor, në një lider të dëgjueshëm që ruan aleancën e Kosovës me Perëndimin.
Kjo i bën mirë Kosovës, pasi i ka heq nga duart Serbisë, një aleat të mrekullueshëm të saj në Kosovë, që po armiqësonte Kosovën me Perëndimin dhe po ja bënte më të lehtë Serbisë rrugën e saj për t’u rikthyer në Kosovë. Dhe po ja bënte këtë nder Serbisë, ndërkohë që Serbia nuk dinte ç’të bënte me aleancën e saj me Rusinë. Ky qëndrim i lë shqiptarët në anën e Perëndimit, njësoj si në Rambuje. Kjo marrëveshje shpëton Kosovën nga Albin Kurti revolucionar e anti-perëndimor, dhe e rikthen atë në një shtet aleat të Perëndimit. Kjo marrëveshje e zhduk nevojën urgjente të njohjes finale dhe është një një zgjidhje e përkohshme e funksionimit të Kosovës si shtet i pavarur, i pashqetësuar nga Serbia. Dhe s’ka gjëra më të përjetshme se gjërat e përkohshme.