Kryetari i LZHK-së, Dashamir Shehi, dhe kreu i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi zyrtarizuan të premten marrëveshjen për garimin e përbashkët në zgjedhjet lokale të 14 majit.
Nën koalicionin Aleanca Progresiste, ata synojnë të marrin drejt vetes qytetarët që nuk e gjejnë veten tek PD, e cila është përçarë në gy grupime.
Në një intervistë për Vizion Plus me Aleksandër Furxhi, Patozi tha se shoqëria shqiptare duhet të bashkohet me një forcë politike që nuk ka lidhje me regresin.
“Kjo është një adresë e re që synon rritjen e përfaqësimit të opozitës në kushtet kur ka plasur konflikti brenda llojit në PD. Ne duam tu japim një adresë të re njerëzve që nuk e gjejnë veten tek PD e Berishës dhe partia e Metës.
Në Shqipëri ka humbur koncepti i të djathtës dhe të majtës. Shoqëria duhet të gjejë kurajo e të bashkohet me një forcë që të mos ketë lidhje me regresin dhe ndaj ka këtë kuptin aleanca jonë”, tha Patozi.
Koordinatori i Bindjes Demokratike tha se qëllimi i koalicionit të tij me Dashamir Shehin janë për këshillat bashkiakë.
“Ne synojmë rritjen e përfaqësimit në këshillave bashkiakë duke bashkuar forcat me dy parti që kanë të njëjtat qëllime. Ne jemi të gatshëm të pranojmë një kandidat të përbashkët të PD dhe do e mbështesnim me argumentin se përballë kandidatëve të shumicës ne duhet të jemi të bashkuar”, u shpreh ai.
Patozi foli edhe për 3 marsin, datë kur Apeli do “vulosë” fatin e PD, ndërsa Berisha do të protestojë në shesh.
“Nuk mendoj se ka rëndësi të madhe vendimi i gjykatës. Unë mendj që konflikti mes palëve nuk është çështje vule. Edhe sikur gjykata të vendos në mënyrë të njëanshme verdiktin e saj, prapësëprapë beteja brenda PD nuk do përfundoj. Sepse kushdo të marr vulën, pala tjetër do e kontestojë dhe do vazhdoj akuzat. Drejtësia joinë nuk është aq e shpejtë sa ta marr vendimin në 3 mars kur PD mban edhe një protestë enkas për këtë gjë”, tha Patozi.