Në Podgoricë u zhvillua mbledhja e dytë e përbashkët midis qeverive të Shqipërisë dhe Malit të Zi, me nënshkrimin e një sërë marrëveshjesh mes dy vendeve, ku më e rëndësishmja është ajo për ndërtimin e urës në lumin Buna.
Në konferencën e përbashkët për shtyp, Kryeministri Dritan Abazoviç u shpreh se: “Sot dërguam një mesazh të bukur, mesazhin e bashkëpunimit dhe ndërtimit të së ardhmes së përbashkët, të bashkëpunimit ekonomik. Do të jetë bashkëpunimi më i fuqishëm në të gjitha segmentet kur flasim për dy qeveritë. Jam krenar që kemi nënshkruar marrëveshjen për urën e Bunës që jo vetëm do lidhi dy shtetet po edhe do zhvillojë për turizmin. Synimi ynë është që njerëzit të kenë akses më të lehtë dhe minimizimi i trafikut si dhe perspektiva e zhvillimit të zonës.
Ne dëshirojmë të bëjmë çdo gjë në çdo segment edhe shëndetësi, mbrojtje, bujqësi, duam thjesht të themi se Mali i Zi dhe Shqipëria e shohin perspektivën e madhe në bashkëpunimin dhe raportet e ndërsjella mes dy vendeve. Jemi të dedikuar drejt të ardhmes në integrimin europian, të ardhmen e përbashkët e shohin në BE dhe duam të japim kontribut që këtu të japim këtë mesazh.”
Mes dy qeverive u nënshkruan edhe nëntë marrëveshje e memorandume në fushat e: energjisë, peshkimit, mbrojtjes së bimëve, mbrojtjes sociale, sportit, kulturës dhe medias, mbrojtjes, shëndetësisë, si dhe marrëveshja për hapjen e kufirit të përbashkët në kalimin Shën Nikollë – Pulaj në territorin e Republikës së Shqipërisë.