Shkëmbimi i përvojave për organizimin e sistemeve kombëtare shëndetësore; shkëmbimi në fushën e shëndetit publik dhe mbikqyrjen epidemiologjike në të dy anët e kufirit; trajnime të specialistëve shëndetësorë në institucionet shëndetësore shqiptare dhe malazeze, shkëmbimi i informacionit në fushën farmaceutike, në teknologji e inovacion janë në fokus të marrëveshjes së re mes Shqipërisë dhe Malit të Zi në fushën e shëndetësisë.

27 Shkurt, Podgoricë- Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, me Ministrin e Shëndetësisë të Malit të Zi, Dragoslav Šćekić, kanë nënshkuar në Podgoricë Memorandumin e Mirekuptimit në fushën e shëndetësisë, ku të dyja palët do të angazhohen për të nxitur bashkëpunimin ndërmjet institucioneve shëndetësore të të dy vendeve.
Marrëveshja mes dy Ministrive të Shëndetësisë konsiston në shkëmbimin e informacionit dhe bashkëpunimin ndërmjet institucioneve të shëndetësisë në të dy vendet; shkëmbimin e përvojave për organizimin e sistemeve kombëtare shëndetësore; shkëmbimin në fushën e shëndetit publik dhe mbikqyrjen epidemiologjike në të dy anët e kufirit; trajnime afatshkurtra të specialistëve shëndetësorë në institucionet shëndetësore shqiptare dhe malazeze, shkëmbimin e informacionit në fushën farmaceutike, në teknologji e inovacion.

Me firmosjen e këtij Memorandumi, do të krijohet një grup pune i përbashkët monitorimi dhe koordinimi, që synon vlerësimin e prioriteteve që kanë të bëjnë me bashkëpunimin dhe përgatitjen e planeve të veprimit në fushën e shëndetësisë dhe shkencave mjekësore.
Marrëveshja u firmos gjatë mbledhjes së përbashkët mes Qeverisë së Shqipërisë dhe Qeverisë së Malit të Zi, e cila po zhvillohet sot në Podgoricë, ku janë nënshkruar një sërë marrëveshjesh ndërshtetërore, me rëndësi për avancimin e bashkëpunimit dypalësh.