Mero Baze
Sot Sali Berisha e konfirmoi para sallës së Kuvendit, se nëse vendimi i Gjykatës së Tiranës më 3 mars nuk është në anën e tij, ai do hyjë me njerëz brenda në Parlament dhe pastaj do marshojë drejt shtëpisë së Edi Ramës në Surrel.
Kjo është një nga ato marrëzitë e tij publike që i kënaq të gjitha palët e armiqve të tij.
Së pari, i jep të drejtë SHBA-së dhe Britanisë së Madhe që e kanë dizajnuar si person “non grata” për shkak të shantazheve mbi drejtësinë dhe e kanë turpëruar familjarisht, dhe si hajdut, dhe minues të demokracisë për këtë shkak. Ky që bën sikur i kërkon prova SHBA-së, në fakt i jep çdo ditë prova SHBA-së për ndëshkimin dhe turpërimin familjar që e ka merituar.
Ky qëndrim nga ana tjetër, kënaq mbi të gjitha Edi Ramën. Nëse do të bënim një arsyetim makiavelist se çfarë i intereson Edi Ramës, që PD të jetë e përçarë, ato janë dy gjëra: E para, që Berisha të mos shkojë në shtëpi, por të vazhdojë të mbajë PD të përçarë, pasi ai është shkaku i përçarjes së PD, dhe e dyta, që Berisha të bëjë si i fortë dhe të përdorë gjuhën e dhunshme që përdori sot.
Këtë merakun e parë e ka të zgjidhur, pasi Berisha ngjan i vendosur të rezistojë dhe ta mbajë të përçarë PD. Por që t’i shijojë deri në fund kjo gjë, i duhet që Berisha të mbajë dhe fjalën të “marshojë” drejt sallës së Kuvendit me dhunë, dhe drejt Surrelit.
Duke parë që i mblidhen nga 100 vetë para Kuvendit dhe akoma më keq, duke parë protestën e fundit që ishte si funeral i “Foltores”, natyrisht që kjo ëndrra e dytë e Edi Ramës, që ata të futen në Kuvend, apo të shkojnë në Surrel, është pak larg realizmit, por fakti që Berisha e thotë publikisht si kërcënim, prapë i bën punë.
Por kërcënimi i Berishës lehtëson shumë dhe pozitën e gjykatësve, të cilët po akuzohen padrejtësisht se po mbajnë të ndarë PD.
Vendimi i Gjykatës më 3 mars, as nuk e bashkon PD dhe as e ndan dot më shumë se sa e ka ndarë Berisha. Shkaku i ndarjes së PD është Berisha dhe jo Gjykata. Gjykata është pasojë e ndarjes.
Çfarëdo vendimi të marrë Gjykata, Partia Demokratike do të vazhdojë të jetë e ndarë dhe Berisha do të vazhdojë të degradojë më shumë.
Nëse hyjmë një moment në trurin e sëmurë të Berishës dhe e mendojmë se gjyqtarët për çdo natë pinë kafe me Lulzim Bashën dhe do të japin vendimin në favor të tij, atëherë pse ata duhet të shqetësohen nga dhuna e paralajmëruar e Berishës, kur kjo dhunë nuk drejtohet as kundër tyre, as kundër Bashës, por kundër Ramës?
Ata ku ta gjejnë këtë.
Dhe Rama po ashtu.
Pra Berisha thjesht po ua bën të lehtë të gjitha palëve që të marrin vendim kundër tij.
Pastaj ta shikojmë sa bythë ka të hyjë në Parlament dhe të shkojë në Surrel.