Nga Gëzim Kabashi/
Në Katedralen e Shën Gjergjit në Boston, më e njohura e diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sapo ka përfunduar mesha e së dielës. Ndërkohë, brenda njërës prej sallave nis diskutimi për librin “Free” të autores Lea Ypi.
Për organizimin e aktiviteteve kulturore kujdesen Mirela dhe Edlira, dy vajzat e tenorit të shquar shqiptar, Xhoni Athanas.
“Babai ynë ka lindur në rrethinat e Bostonit në vitin 1925 dhe familja e tij është rikthyer shumë shpejt në Shqipëri, “tregon Mirela. “Ne udhëtuam pësëri drejt Bostonit vetëm pas vitit 1990,” shtoi ajo.
Katedralja e Shën Gjergjit në Boston ka shërbyer prej më shumë se një shekulli si qendër shpirtërore për diasporën shqiptare që jeton në shtetin e Masaçusets. Sipas statistikave, në këtë shtet banojnë rreth 44 mijë shqiptaro-amerikanë të lindur atje apo që kanë mbërritur nga Shqipëria.
Në sallën ku mblidhen mysafirët janë ekspozuar skulptura dhe tablo të Fan Nolit, themeluesit të Kishës Ortodokse Shqiptare. At Theofani, i cili ka zëvendësuar At Artur Liolinin, famullitarin historik të kishës së Shën Gjergjit, thotë se aty organizohen aktivitete të ndryshme për komunitetin.
“Nuk kemi arsye që të largojmë të rinjtë e pasionuar me librin,” thotë ai.
Një tjetër pikëtakim i rëndësishëm për shqiptarët e Bostonit ishin restorantet e Antoni Athanas, patriotit dhe filantropit shqiptar. Gerta Mataj punoi në njërin prej tyre pas largimit nga Shqipëria më shumë se dy dekada më parë.
“Kur erdha në Boston 25 vjet më parë, punova në një nga restorantet e Antoni Athanasit,” thotë Mataj duke treguar me dorë një godinë të ndërtuar rishtas mbi pontilin që ngrihet mbi bregun e oqeanit Atlantik.
“Ai që e ka blerë tani i ka ekspozuar të gjitha fotot e dikurshme të njerëzve të famshëm që e kishin vizituar ndër vite lokalin e biznesmenit dhe filantropit të madhe shqiptar,” shtoi ajo.
Shqiptarët e Bostonit përpiqen të jenë në kontakt me njëri tjetrin; ata frekuentojnë bizneset e njëri-tjetrit, punësojnë zanatçinj shqiptarë dhe shkëmbejnë adresat me shqiptarë të tjerë.
Në dalje të Katedrales, Ervini, një djalosh nga Përmeti tregon se ka gjetur mënyrën për të sjellë nga Shqipëria produkte bulmeti. Gra të moshave të ndryshme nisin diskutimin me të riun.
Në furrën e një shqiptari nga Tetova, ku përgatiten nga bakllavaja deri te picat, punon Kristiana, një 20-vjeçare nga Shkodra.
Ajo ka ardhur për studime në Boston, por ligji e lejon të punojë për disa orë në javë, çka e ndihmon për të paguar qeranë e shtëpisë.
Pak më tej, në shtëpinë 3-katëshe të Gerta Mataj janë strehuar dy bashkëshortë nga Durrësi, të cilët u vendosën në Boston pasi fituan llotarinë amerikane.
“Jetoj këtu prej tre vitesh, që ditën që kemi ardhur,” thotë Fatmir Bardhi rreth të 60-ave.
Fatmiri dhe bashkëshortja e tij janë përshtatur me jetën në Amerikë dhe punojnë të dy në aeroportin e qytetit.
“Jemi të kënaqur, por mendja na rri në Shqipëri, ku vazhdon të jetojë një nga djemtë tanë,” përfundon Fatmiri.