Një numër i madh studentësh në Kosovë kanë dalë në protestë ditën e sotme kundër marrëveshjes së Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Me slogane si “Asociacioni nuk kalon”, “S’pranoj Asociacion që na bosnjëzon”, “Bashkë kundër Asociacionit”, “Kosova Republikë, s’ka Zajednicë” dhe të ngjashme, studentët, nën organizimin e Parlamentit të Studentëve të UP-së, nisën marshin e tyre nga Biblioteka Kombëtare dhe u ndalën para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.

Organizatorët e këtij marshi argumentuan se themelimi i asociacioneve njëetnike në vendet e rajonit ka krijuar “shtet brenda shtetit”. Ata thanë se një asociacion i tillë nuk do të avanconte të drejtat e komunitetit serb në Kosovë, por “do t’i instrumentalizonte” serbët që jetojnë në Kosovë.

“Ne nuk pranojmë Asociacionin e komunave me shumicë serbe që cenon drejtpërdrejtë paqen, sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit”, tha njëra prej studenteve.

Kosova dhe Serbia kanë arritur dy marrëveshje – në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian – për themelimin e Asociacionit.