Dy fëmijë të zhytur mes betonit në mbetjet e shtëpisë së tyre në Sirinë veriore janë shpëtuar më shumë se 36 orë pasi tërmeti i së hënës bllokoi familjen e tyre teksa flinin.
“Më largoni nga këtu, unë do të bëj gjithçka për ju”, iu pëshpëriti fëmija më i madh shpëtimtarëve që shihen në video duke u ulur në rrënojat e shtëpisë së fëmijëve në Besnaya-Bseineh, një fshat i vogël në Haram, Siri.
“Unë do të jem shërbëtorja juaj”, shton ajo, ndërsa një shpëtimtar përgjigjet, “Jo, jo.”
Emri i vajzës është Mariam dhe ajo përkëdhel butësisht flokët në kokën e vëllait më të vogël, ndërsa ata shtrihen të shtrënguar së bashku në atë që mund të jenë mbetjet e shtratit të tyre. Ajo është në gjendje të lëvizë krahun e saj aq sa të mbulojë fytyrën e vëllait, duke siguruar njëfarë mbrojtjeje nga pluhuri mes mbeturinave.
Emri i fëmijës më të vogël është Ilaaf, sipas babait të tyre – një emër islamik që do të thotë mbrojtje.
Mustafa Zuhir Al-Sayed thotë se gruaja dhe tre fëmijët e tij ishin duke fjetur në orët e para të së hënës kur toka u lëkund me një tërmet 7.8 ballë, më i madhi që goditi rajonin në më shumë se një shekull.
“Ne ndjemë tokën duke u dridhur … dhe rrënojat filluan të binin mbi kokën tonë dhe ne qëndruam dy ditë nën rrënoja,” tha ai. “Kemi kaluar, një ndjenjë, një ndjenjë që shpresoj se askush nuk duhet ta ndjejë.”
I ngujuar nën rrënoja, Al-Sayed tha se familja e tij recitoi Kuranin dhe u lut me zë të lartë që dikush t’i gjente.
“Njerëzit na dëgjuan dhe ne u shpëtuam – unë, gruaja ime dhe fëmijët. Faleminderit Zotit, të gjithë jemi gjallë dhe falënderojmë ata që na shpëtuan”, tha ai.
Video tregon vendasit duke brohoritur ndërsa Mariam dhe Ilaaf janë marrë nga rrënojat të mbështjellë me batanije. Fëmijët u dërguan në spital, ku po marrin kujdesin mjekësor.
Me çdo orë, shpresa për të gjetur familje të tjera zbehet në temperaturat e ftohta që e kanë bërë më të vështirë mbijetesën edhe për ata që arritën të shpëtonin nga ndërtesat e shkatërruara.
Shtëpia e Al-Sayed është në provincën e Idlibit, një zonë e kontrolluar nga rebelët në Sirinë veriore, ku të paktën 1,220 njerëz kanë vdekur, sipas Mbrojtjes Civile Siriane, një grup ndihmash humanitare më i njohur si “Helmetat e Bardha”.
Grupi tha të martën se numri i të vdekurve dhe të plagosurve “pritet të rritet ndjeshëm për shkak të pranisë së qindra familjeve nën rrënoja”.
Të paktën 1,280 vdekje janë konfirmuar në pjesët e kontrolluara nga qeveria të Sirisë, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve SANA, duke e çuar numrin e përgjithshëm në Siri mbi 2,500.
Numri i përgjithshëm i të vdekurve nga tërmeti përtej kufirit Turqi-Siri është tani më shumë se 8,700 – një numër që agjencitë e ndihmës kanë paralajmëruar se ka të ngjarë të rritet ndjeshëm.
Ndihma po arrin ngadalë tek ata në nevojë, por edhe para tërmetit, Kombet e Bashkuara thanë se 70% e popullsisë së Sirisë kishte nevojë për ndihmë humanitare.
“Kjo tragjedi do të ketë një ndikim shkatërrues në shumë familje të cenueshme që përpiqen të sigurojnë të dashurit e tyre çdo ditë,” tha Koordinatori i Përhershëm dhe Koordinatori Humanitar i Kombeve të Bashkuara ad interim për Sirinë dhe Koordinatori Rajonal Humanitar për Krizën e Sirisë në një deklaratë të përbashkët të martën.
OKB-ja dhe partnerët humanitarë thonë se aktualisht janë duke u fokusuar në nevojat imediate, duke përfshirë ushqimin, strehimin, artikujt joushqimor dhe ilaçet.