Në prag të 103 vjetorit të shpalljes së Tiranës Kryeqytet, kryebashkiaku Erion Veliaj nderoi punonjësit me kontributin më të gjatë në punët e qytetit, duke i falenderuar që kanë shërbyer për vite e dekada me përkushtim dhe profesionalizëm në sektorë të ndryshëm të bashkisë. Gjatë këtij takimi, Veliaj preku edhe çështjen e konvikteve, për të cilat tha se pas rindërtimit të konvikteve qe ishin zaptuar prej vitesh në kryeqytet, do të vihen vetëm në funksion të studentëve.
“Disa qytetarë më thonë: Kryetar, të futemi tani aty ku kemi qenë më përpara, se mbaroi godina e re? U them me shumë dashamirësi: Kjo bashki ka qenë bashkia më solidare në historinë 103-vjeçare si kryeqytet, ka dhënë një pafundësi fondesh për strehim social, kredi të buta, banesa sociale, bonus qiraje, por në 2023-shin të rikthehesh prapë të pushtosh konvikte, të pushtosh kopshte, shkolla, çerdhe, sikur nuk shkon. Ndaj, thirrja ime për të gjithë banorët është: Ne rizaptim të Universitetit Bujqësor, ku sa i mbaruam konviktet, nuk do lejojmë. Konviktet janë për studentët, kopshtet për kalamajtë, shkollat janë për nxënësit, çerdhet janë për bebushat. Për të rriturit kemi bonus qiraje, ta paguan bashkia qiranë nëse nuk ke mundësi, të japim një kredi të butë, të japim banesë sociale, por jo më zaptim”. Veliaj përmendi edhe hapësira të zaptuara nga privatë për lokale brenda shkollave e madje edhe kopshteve, të cilat tha kryebashkiaku, me ndërtimin e godinave të reja, nuk do lejohen më të ushtrojnë aktivitet brenda perimetrit të institucioneve publike.
“Është vendim i drejtë që kopshti te “Myslym Shyri” të çlirohet dhe do çlirohet javën tjetër, se do fillojnë punimet per kopshtin e ri. Isha tek shkolla në Vaqarr, m’u në derë të shkollës, kishin bere lokal. 30 vjet i re qylit me lokal. Tani po bëhet shkolla e re. S’mund të rrijë çibani në oborr të shkollës, m’u në derë. Është prishur sot. Ne duhet t’u shërbejmë të gjithëve. Kur u shërben njerëzve, ka edhe disa që nuk të pëlqejnë. Jam i sigurt, ai i lokalit në Vaqarr as nuk na pëlqen, por për 1000 familje që çojnë fëmijët në një shkollë të re, ku më në fund çlirohet dera, fiton hapësirë dhe frymëmarrje – kalamajtë s’duhet të futen në lokal për të shkuar në shkollë – do e vlerësojnë. Për sa kohë u shërbejmë të gjithëve, nuk duhet të shqetësohemi edhe nëse nuk na pëlqejnë të gjithë,”