Media amerikane “The Daily Beast” ka shkruar me tone të forta për marrëdhënien mes ish kryeministrit shqiptar të shpallur “nongrata” dhe mbështetëses së tij Evi Kokalari, e cila sipas medias ka kryer përpjekje lobimi në SHBA për të goditur qeverinë shqiptare, për interesa të Sali Berishës.
Këtë të fundit, media e etiketon në titull të shkrimit si ish kryeministrin e turpëruar shqiptar, duke iu referuar faktit që ai është shpallur nongrata nga SHBA për korrupsion madhor.
Kjo sipas “The Daily Beast”, ishte një goditje shkatërruese për ambiciet e tij si politikan, i mësuar me keqpërdorimin e fondeve publike.
“Në maj të vitit 2021, Sekretari i Shtetit Anthony Blinken e ndaloi Sali Berishën, ish-kryeministrin shqiptar dhe gjithë familjen e tij të hynte në Shtetet e Bashkuara duke përmendur “keqpërdorimin e fondeve publike nga Berisha dhe ndërhyrjen në proceset publike”. Ishte një goditje shkatërruese për ambiciet e Berishës për të rimarrë drejtimin e vendit që ai drejtoi midis 2005 dhe 2013. Në shtator të atij viti, pasardhësi i Berishës si kryetar i partisë, Lulzim Basha e përjashtoi atë nga grupi i saj në parlamentin e vendit”, shkruan media amerikane.
Sipas Fred Abrahams, autor i një libri për Shqipërinë, akuzat ndaj Berishës erdhën në një moment kur Partia Demokratike po përpiqej të kalonte përtej Berishës në lidershipin e ri, dhe BE-ja dhe qeveritë e SHBA-së e mbështetën këtë.
“Ata donin një opozitë të qëndrueshme dhe nuk mendonin se Berisha mund të ishte i tillë”, tha ai.