Ministria e Brendshme britanike ka urdhëruar punonjësit që të punojnë vetëm me kërkesat e shqiptarëve azilkërkues në mënyrë që të përshpejtohen procedurat e dëbimit. Sipas mediave britanike po zhvillohet operacioni i koduar “Bridora” që ka synim të largojë sa më shumë shqiptarë në një kohë kur është rritur numri i atyre që futen ilegalisht me gomone.
Ky vendim do të vonojë përgjigjet për mijëra afganë, iranianë e sirianë që prej vitesh presin të përfitojnë azil në Britani.
Nga më shumë se 140 mijë aplikime për azil që presin një vendim fillestar në Britani, rreth 16 për qind (22,900) janë nga shqiptarët. Më shumë se 16,000 kërkesa të pazgjidhura lidhen me iranianët, 14,5000 me irakenët, 9,000 me afganët dhe rreth 7,000 me sirianë dhe eritreanë.
“Kërkesat për azil duhet të dëgjohen në mënyrë të drejtë bazuar në rrethanat personale të njerëzve. Ky ‘operacion’ i ri me shumë mundësi do të ishte diskriminues, por me siguri do të ishte joefektiv në trajtimin e problemeve në sistemin e azilit që politikat e qeverisë sonë kanë krijuar. Do të bëjë pak për të reduktuar numrin e kërkesave të mbetura për azil”, tha Clare Moseley, themeluesja e bamirësisë Care4Calais.
Një ligj prej dy dekadash e rendit Shqipërinë midis vendeve, ku Ministria e Brendshme mund t’i deklarojë kërkesat për azil nga qytetarët ‘qartësisht të pabazuara’, sepse këto vende konsiderohen të sigurta, shkruan The Independent.
Një burim i tha medias britanike ‘The Independent’ se ata besonin se qëllimi i Operacionit Bridora ishte të certifikonte sa më shumë kërkesa për azil që të ishte e mundur sipas ligjit, në mënyrë që njerëzit të mund të largoheshin nga Britania dhe të ndaloheshin të apelonin çështjet e tyre nga jashtë.