Çdo paqe që nënkupton dorëzimin e Ukrainës ndaj forcave pushtuese ruse “nuk mund të jetë paqe e vërtetë”. Kështu deklaroi kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, gjatë vizitës në Kiev më 21 shkurt. Duke folur përkrah presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, Meloni tha se mposhtja e Ukrainës po ashtu do të rrezikonte pushtimin e shteteve të tjera evropiane.
Ajo u zotua se Italia do të vazhdojë të mbështesë ushtarakisht Kievin.
Meloni shtoi se Italia synon të jetë nikoqire e një konference ndërkombëtare për rindërtimin e Ukrainës. Kjo konferencë, sipas saj, pritet të organizohet në prill. Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, më herët gjatë ditës u takua me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky. Meloni, e cila mori detyrën në tetor, ka shprehur vazhdimisht dëshirën për ta vizituar Ukrainën.
Pas marrjes së detyrës, ajo tha se Ukraina mund të llogarisë në mbështetjen e Qeverisë së re italiane. Ish-kryeministri i Italisë, Mario Draghi, ka qenë një prej mbështetësve më të fuqishëm të sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër Rusisë, për shkak të luftës në Ukrainë, pavarësisht se Italia ka varësi të madhe ndaj gazit rus.
Roma, po ashtu, ka dërguar armë për t’i ndihmuar Kievit që t’i luftojë forcat e presidentit rus, Vladimir Putin.
Meloni, cila drejton partinë e ekstremit të djathtë, Vëllezërit e Italisë, është euroskeptike, por ka mbështetur qëndrimin e Draghit sa i përket Ukrainës – edhe pse aleatët e saj në koalicionin zgjedhor, lideri i partisë Liga, Matteo Salvini, dhe ish-kryeministri Silvio Berlusconi, kanë raporte të mira me Moskën. Ajo është distancuar nga partnerët në koalicionin e saj qeverisës.