Ministria e Arsimit dhe Sportit organizoi një prezantim për Sistemin e Menaxhimit të Informacionit Parauniversitar (SMIP), i cili ofron shumë avantazhe për institucionet arsimore, mësuesit dhe prindërit, si dhe e ngre sistemin arsimor në një tjetër nivel për sa i përket digjitalizimit.
Në fjalën e saj Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi theksoi se digjitalizimi konsiderohet si reforma e reformave, pasi nuk prek vetëm sistemin arsimor por të gjithë sektorët e shoqërisë.
SMIP depoziton të gjitha të dhënat nga të gjithë aktorët e përfshirë, mësuesit, punonjësit e shërbimit psiko-socialë, drejtuesit e institucioneve arsimore, prindërit, zyrat arsimore, drejtoritë rajonale, Ministria e Arsimit.
Ndër të tjera znj. Kushi theksoi edhe disa nga avantazhet kryesore të sistemit SMIP janë: sinkronizimi i të dhënave në kohë reale, krijimi i një baze të dhënash shtetërore për të gjitha të dhënave të arsimit parauniversitar dhe ndërveprimi në kohë reale me bazat e tjera të të dhënave shtetërore, gjenerimi i raporteve statike dhe dinamike për të bërë dhe analiza të ndryshme dhe për të ndërmarrë politika të reja, lehtësimi i procedurave të regjistrimit dhe transferimit të nxënësve në shkolla, informimi i prindërve në kohë reale mbi ecurinë e fëmijëve të tyre, aksesimi i të dhënave të sistemit në çdo kohë nga përdoruesit, gjenerimi i dëftesave menjëherë nga sistemi, krijimi i regjistrave dhe amzave digjitale, si dhe ofrimi i mësimdhënies online në të njëjtin sistem.
“Ajo që dua unë t’ju them të gjithëve sot është që unë e kuptoj shumë mirë që është një sfidë funksionimi 100% i këtij sistemi, por me profesionalizmin e mësuesve tanë, me përkushtimin e tyre dhe me bashkëpunimin që kemi me njëri-tjetrin, unë jam e bindur që ne mund ta bëjmë realitet shumë shpejt këtë sistem dhe këtë revolucion në sistemin tonë arsimor, sepse avantazhet janë shumë të mëdha. Mund të kemi vështirësi për momentin, sa të familjarizohemi të gjithë, por më pas jam e sigurt që të gjithë do ta kemi shumë komoditet përdorimin e këtij sistemi,” – nënvizoi ministrja.