8 Shkurt, Tiranë- Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, pas mbledhjes së Qeverisë, ka bërë me dije se është miratuar akti nënligjor i cili përcakton kriterët që do të duhet të përmbushin spitalet për aplikimin e modelit të ri të autonomisë spitalore.
“Kemi miratuar sot në Këshillin e Ministrave një akt të rëndësishëm nënligjor, në zbatim të ligjit “Për Kujdesin Spitalor në Republikën e Shqipërisë”, pikërisht vendimin për autonominë spitalore. Një model i cili do t’i hapë rrugën përmirësimit të shërbimit spitalor në vend, përmirësimit të eficiencës së burimeve njerëzore, burimeve financiare, gjithashtu edhe mirëadministrimit të të gjithë strukturës organizative, por edhe aspekteve të shërbimit mjekësor, në spitalet të cilat do ta përfitojnë autonominë”,- tha Manastirliu.
Manastirliu tha se ky model do të ndërtojë incentiva financiare për stafet mjekësore.
“Nëpërmjet mekanizmave që ky model garanton, do të krijojë përsa i përket mbështetjes së mjekëve dhe personelit shëndetësor, nëpërmjet pagesave për performancë, bazuar në aktivitetin spitalor apo nëpërmjet praktikës së dyfishtë, një mekanizëm që do të përfshihet Kartën e Autonomisë Spitalore Menaxheriale e më tej edhe në atë financiare”,- tha Manastirliu.
Vendimi i miratuar sot në Këshillin e Ministrave, parashikon kriteret specifike që duhet të plotësojë një spital pubik që të përfitojë autonominë spitalore, ku janë specifikuar ato që duhet të plotësojë spitali publik për të përfituar Autonominë Menaxheriale dhe Autonominë Financiare.
Home Lajme Aktualitet Miratohen kriteret për autonominë spitalore, Manastirliu: Pagesë për performancë dhe praktika dyfishe...