Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla shprehet se 2 marsi është data më e përshtatshme për zhvillimin e mocionit me debat për çështjen “McGonigal”.
Në një prononcim për mediat, Balla tha se deputetët kanë kohë të mjaftueshme për t’u përgatitur për debatin me kryeministrin Edi Rama.
Deputeti socialist thotë se kërkesa e opozitës për praninë e kryeministrit në sallë nuk është e detyrueshme sipas rregullores së Kuvendit.
“Në këtë këndvështrim, Kuvendi nuk është fastfood, ku duhet të përgatitet çdo deputet të përgatitet. Duke qenë se kërkesa për zhvillimin e mocionit ka pasur si kusht edhe prezencën e kryeministrit, në komunikim me zyrën e kryeministrit është marrë konfirmimi që në datën 2 mars. Përpara zhvillimit të seancës, jua kam thënë kolegëve të opozitës, mendoj që do ishte data më e mirë. Në fakt edhe u votua në Kuvendin e Shqipërisë.
S’ka më asnjë lloj alibie për normalitetin. Koha në dispozicion për t’u përgatitur është e mjaftueshme. Edhe pse nuk është mocioni me debat arsyeja e kësaj situate në Kuvendin e Shqipërisë. Është vetë udhëheqësi i opozitës që nuk të lë hapësirë për hamendësime. Gjithçka lidhet me problematikat e brendshme të PD-së”, deklaroi Balla.