Për shkak të motit të keq vijon të mbetet i pezulluar lundrimi në Portin e Vlorës. Prej ditës së djeshme është pezulluar trageti i linjës Vlorë-Brindisi, ndërsa po ky traget nuk do të mund të lundrojë as ditën e sotme.

Pezullimi do të vijojë deri në përmirësimin e kushteve atmosferike që pritet vetëm pasditen e të hënës. Megjithatë situata mbetet në monitorim edhe për shkak të temperaturave të ulëta. Gjithashtu edhe për anijet e peshkimit dhe mjetet e vogla është pezulluar lundrimi deri në përmirësimin e situatës. Deri më tani veç lundrimit në Vlorë nuk ka probleme te tjera ndërsa edhe në Llogara qarkullimi vijon normalisht.

Ndërkohë në Durrës, trageti Durrës-Ankona pritet të niset ditën e sotme në orën 19:00. Një ditë më parë u anulua Ankona-Durrës, por trageti mbërriti mëngjesin e sotëm në Portin e Durrësit. Sipas kapitenarisë së Portit të Durrësit tragetet për në Bari është parashikuar që të nisen sonte për lundrim. Anijet e tonazhit të vogël dhe peshkarexhat janë të ankoruara në port.