Kryeministri Edi Rama nuk ka lënë pa përmendur gjatë konferencës së përbashkët me homologun e tij Dritan Abazovic edhe çështjen e Lumit Vjosa, për të cilin u shpreh se ishte qeveria shqiptare ata të cilët ngritën mbrojtjen për lumin dhe nuk pritën europianët. Rama nuk “kurseu” partnerët ndërkombëtare duke ngritur pyetjen se pse Lumi Vjosa mbeti i fundit për tu klasifikuar si lumi i fundit i egër i Europës.

“Ne mundëm të bllokonim të gjithë të tjerët por jo atë që ishte gati në përfundim. Duke vazhduar me Vjosën e keni dëgjuar sa shumë zhurmë është bërë për Vjosën, ndërkohë ne jemi e para qeveri që ngriti mbrojtjen për lumin Vjosa, e ngritëm ne vetë dhe nuk pritëm të vijnë nga Europa të thoshin që ky është lumi i fundit i egër i Europës. Po pse mbeti ky i fundit i egër? Sepse ata i zbutën të tyret, i kthyen nga tigra në mace shtëpie, ne na mbeti tigri në derë”, tha Rama.

Pjesë nga fjala e Ramës:

Kryeministri Edi Rama: Këtu bëhet fjalë për hidrocentrale që i përkasin asaj periudhe që tha Dritani, e shkuara që nuk e ndryshojmë dot. Kështu që, ne faktikisht jemi gjendur përpara faktit të kryer dhe kemi bllokuar të tretin. Nuk e di sa ju ngushëllon. Kemi trashëguar të njëjtën situatë në shumë vende të Shqipërisë, duke filluar nga lumi i Valbonës që është një nga perlat e rajonit tonë, ku faktikisht ishin planifikuar dhe kishte filluar procesi për 12. Ne mundëm të bllokojmë të gjithë të tjerët, por jo atë që ishte gati në përfundim. Duke vazhduar me Vjosën. E keni dëgjuar sa shumë zhurmë është bërë për Vjosën, ndërkohë që ne jemi e para qeveri që ngriti çështjen e mbrojtjes së Lumit Vjosa, e ngritëm vetë ne. Nuk pritëm të vinin nga Europa të na thoshin “ky është lumi i fundit i egër i Europës”. Po pse mbeti ky ”i fundit, i egër” se ata i zbutën lumenjtë e tyre apo jo? Dhe i kthyen nga tigra në mace shtëpie. Ne na mbeti tigri në derë dhe ne sidoqoftë kemi marrë masa që Vjosa të shpallet Park Kombëtar dhe së shpejti do të bëjmë dhe ceremoninë për këtë.

Kështu që, për këto hidrocentralet që folët, dy i kemi peshqesh nga e shkuara, por kemi peshqesh nga e shkuara plagë më të renda ne në këtë rajon, kështu që duhet t’i përballojmë me buzëqeshje dhe duhet ti përballojmë me Ballkan të hapur se me Ballkan të vrenjtur nuk përballohet e shkuara por të kthehet prapë në portret dhe nuk të vjen njeri afër se thotë: këta jetojnë në të shkruarën. Ç’punë kemi ne me këta? Kemi ngritur dhe grupet e punës më thonë, por unë kur vjen puna te grupet e punës nuk bëj komente se e keni parasysh se ka një shprehje që thotë: nëse nuk do të zgjidhesh një problem, ngri një grup pune.
Faleminderit shumë!