uvendi i Kosovës të enjten ishte arenë e përplasjeve verbale ndërmjet kryeministrit të vendit, Albin Kurti dhe përfaqësuesve të opozitës lidhur me Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Kurti gjatë fjalimit të tij në Kuvend ka treguar gjashtë kushtet për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ai theksoi sërish para deputetëve të Kosovës se nuk mund të ketë Asociacion një etnik. Gjashtë kushtet që Kurti përmendi për themelimin e Asociacionit:

-Asociacioni të bëhet në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet në fuqi.

-Asociacioni nuk mund të jetë monoetnik, duhet të ndërrojë emrin, nuk mund të ketë/bartë asnjë pushtet publik (apo ekzekutiv) dhe duhet t’i shërbejë vetëm bashkëpunimit horizontal të komunave sipas Kushtetutës dhe ligjit për vetëqeverisje lokale (kreu 5).

-Të drejtat e pakicave kombëtare duhet ta ngërthejnë parimin e reciprocitetit ndërmjet dy shteteve si dhe të marrin parasysh standardet dhe modelet evropiane.

-Para vendosjes së Asociacionit, strukturat ilegale në veri të shuhen dhe bëhet dorëzimi i të gjitha armëve ilegale.

-Asociacioni është pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet pas njohjes reciproke dhe pasi Serbia t’i ketë pranuar parimet e kartës së OKB-së në raport me Kosovën.

-Presidenti i Serbisë i tërheq letrat e dërguara te pesë shtetet anëtare të BE-së dhe tek të tjerat, për mospranimin e aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në BE, që paraqet edhe shkelje të po asaj marrëveshjeje Thaçi-Daçiq të 19 prillit 2013.

Deklarata e Kurtit për Asociacionin nxiti debat në Kuvend dhe reagimin e partive opozitare. Kreu i Grupit parlamentar të PDK-së, partisë më të madhe opozitare në Kuvend tha se Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiç në të njëjtën ditë e moment kanë folur për Asociacionin, ndërkaq tha se nuk e di nëse kjo është rastësi apo sinkronizim.

“Nuk e di a është rastësi apo e sinkronizuar mes presidentit Vuçiq dhe kryeministrit Kurtit, mirëpo edhe Vuçiç po raportohet në media duke e mbajt një seancë për Kosovën në Parlamentin e Serbisë. Në të njëjtën kohë kryeministri na jep një lajm që e shtinë Kosovën në një drejtim të ri.

Pra Kosova e drejtuar nga qeveria Kurti e cila do ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe në vendin tonë. Kjo ditë duket të jetë një koordinim i mirë me presidentin Vuçiq, të cilët në të njëjtën ditë, në të njëjtën moment janë duke dhënë lajme të rëndësishme për drejtimin që do të marr kjo marrëveshje”, ka thënë Tahiri të enjten në Kuvend.

Sipas tij, Kurti ka bërë një kthese dhe ndryshim drastik sa i përket qëndrimit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë. E lidhur me gjashtë pikat e Kurtit, ka reaguar edhe deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku, njëherësh kryetar i kësaj partie. Ai tha se 2 shkurti është data e pranimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovës nga kryeministri, Albin Kurti.

“Kjo datë e 2 shkurtit është data e pranimit të Asociacionit nga kryeministri Kurti. Kurti tha që marrëveshja e vitit 2013 është e bëshme me disa kushte…Kryeministri Kurti ka pasur dialog me Vuçiçin, dhe asnjëherë s’ka ardhur në kuvend që të flas me deputetet shqiptarë dhe jo shqiptar të Kosovës”, tha Abdixhiku.